Berat, ndalohen 3 doganierë për kontrabandë

26/06/2016 00:00

Policia e Beratit ka ndaluar 3 punonjës të doganës për veprën penale “kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Shtetasit e ndaluar janë: Evis Plaku, 29 vjeç, banues në Berat, me detyrë ish kryetar i Degës Doganore Berat; Akion Hysi, 30 vjeç, banues në Berat, me detyrë doganier regjimi dhe akciz në Degën Doganore Berat; Dhame Xhamballo, 55 vjeç, banues në Berat, me detyrë doganier i vlerësimit në Degën Doganore Berat.

Prokuroria e Beratit e nisi hetimin në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga hetimi i Prokurorisë rezultoi se ish-kryetari i degës Doganore dhe grupi i kontrollit kanë kryer veprime fiktive mbi subjektin “Center Shqiptare”, i cili kishte objekt importim dhe prodhim produkte letre.

Nga kontrolli rutinor i realizuar mbi këtë subjekt, grupi i kontrollit i ka nxjerrë një detyrim doganor në vlerën 1.4 milionë lekë të reja. Pak kohë pas këtij kontrolli lokal, një grup kontrolli nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave realizoi një audit në Berat, ku shqyrtoi edhe praktikën e subjektit “Center Shqiptare”.

Auditi i Drejtorisë së Përgjithshme përcaktoi se detyrimi doganor i këtij subjekti ishte disa herë më i lartë, rreth 140 milionë lekë të reja dhe për këtë arsye kërkoi rivlerësimin e situatës nga grupi i Doganës Berat, i cili kishte ushtruar kontrollin mbi këtë subjekt.

Ky grup kontrolli ushtroi sërish kontroll dhe e nxorri detyrimin e subjektit privat rreth 4 milionë lekë të reja, pra sërish shumë herë më të vogël se sa ishte parashikuar nga auditi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Pas këtij rivlerësimi, kryetari i degës Doganore Berat e regjistroi në sistemin e brendshëm se subjekti privat nuk kishte më detyrime.

Në vitin 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi një kontroll mbi Doganën e Beratit, në të cilin konstatohet se kjo degë nuk iu është përmbajtur detyrave të lëna nga auditi i Drejtorisë së Përgjithshme, gjë e cila ka sjellë dëm të konsiderueshëm ndaj financave të shtetit.

Deri në këtë fazë të hetimit, në bazë edhe të aktit të ekspertimit, Prokuroria e Beratit ka krijuar dyshime të arsyeshme se dëmi i shkaktuar shtetit për shkak të veprimeve të punonjësve të doganës Berat, llogaritet në vlerën e rreth 40 milionë lekëve të reja.

Top Channel