“Brexit” shkund tregjet financiare, tërmet në Frankfurt e Paris

24/06/2016 00:00

Vota e britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Europian ka tronditur tregjet financiare në të gjithë botën duke injektuar një panik të ngjashëm me atë të falimentimit të “Lehman Brothers” 8 vjet më parë.

Aksionet shënuan një nga rëniet më të forta të regjistruara ndonjëherë, ndërsa kompanitë europiane humbën miliarda dollarë nga vlera e tyre.

Bursa e Londrës u hap me minus 8 për qind në mëngjes, ku më të goditura ishin aksionet e bankave, të cilat ranë deri në 30 për qind.

Për të përmbajtur panikun në tregje, guvernatori i Bankës së Anglisë deklaroi se institucioni që ai drejton është i gatshëm të injektojë 250 miliardë paund.

“Banka e Anglisë nuk do të hezitojë të ndërmarrë çdo masë të nevojshme që kërkohet teksa tregjet korrektohen dhe ekonomia britanike lëviz përpara”, tha Carney.

Ndërhyrja e bankës qëndrore i qetësoi disi investitorët. Aksionet në bursën e Londrës rekuperuan duke e mbyllur ditën me minus 3 për qind.

Por humbjet ishin edhe më të mëdha në bursat e tjera të Europës, si ajo e Frankfurtit dhe Parisit, të cilat ranë respektivisht me 7.1 dhe 6.2 për qind.

Por dallgët e tërmetit politik të Britanisë u ndjenë në tregjet përtej Atlantikut. Indeksi i Dow Jones në bursën e Nju Jorkut u çel me minus 3 për qind, ndërsa ai i Nasdaq ra me 3.6 për qind.

Por efekti më i fortë i Brexit ishte zhvlerësimi dramatik i paundit. Monedha britanike humbi 10 për qind të vlerës në vetëm pak orë, duke rënë në nivelin më të ulët të 30 viteve.

Si rezultat, brenda tre orësh, Franca e tejkaloi Britaninë si ekonomia e 5 më e madhe e botës, ndërkohë që kjo e fundit zbriti në vendin e 6-të.

Për shkak të pasigurisë, në Greqi disa hotele në ishullin Kos refuzuan të shkëmbenin paundët e turistëve britanikë. Edhe pse më vonë gjatë ditës paundi e zbuti disi rënien në 8 për qind, sërish ajo mbetet më e madhe në një ditë të vetme.

Për analistët, skenari që Britania të Rrëshqasë në reçesion nuk është i pamundur. “The Economist” parashikon se kjo do të ketë pasoja të mëdha edhe në ekonomitë e tjera të Eurozonës. Sipas saj, nëse ekonomia britanike do të ulet me 1 për qind, ajo e Eurozonës do të rrudhet me -0.5 për qind.

Top Channel