“Top Music Awards”, nata e madhe e ndarjes së çmimeve

24/06/2016 00:00

Top Music Awards është gati për natën e madhe të ndarjes së 12 çmimeve. Sot në mbrëmje Pallati i Kongreseve do të shkundët nga performanca e artistëve më në zë.

“Jam i lumtur që vendi ynë do të ketë një spektakël të tillë dhe jam duke pritur se çfarë nate do jetë”, thotë MC Kresha.

“Është kaq afër, është kaq e prekshme, është një ndjesi shumë e bukur. Më duket si ëndërr”, thotë Alban Ramosaj.

Alban Skënderaj, Era Istrefi, Kida, Alban Ramosaj, Ledri Vula, MC Kresha e të tjerë artistë do të jenë pjesë e performancave speciale në skenën e “Top Music Awards”.

Kjo festë muzikore që në konceptimin fillestar synonte të çelë një epokë të re në eventet muzikore të mbarë trevave shqiptare, për aq kohë sa një pjesë e mirë e artistëve pjesëmarrës tashmë janë ndërkombëtarizuar.

“Nocioni i një festivali është tashmë i vjetëruar. Ndaj, nocioni i “Top Music Awards” është më shumë një festë për muzikën, duke u nisur nga prurjet që artisti vet ka në dorë që ti sjellë gjatë një viti, e jo më shumë se nga diktimi i një bordi artistik apo kërkesave të një festivali”, shprehet Ledion Liço, autor dhe moderator i “Top Music Awards”.

Nata e madhe do të nisë me tapetin e kuq, që është i shtrirë në gjithë pjesën para Pallatit të Kongreseve, nga ku vetë artistët do të jenë protagonistë. Dhe më pas surprizat do të vijnë rishtazi.

Votimet e hapura për publikun janë mbyllur të enjten, por ende mund të votohet për “Viewers Choice”.

Mbrëmja e madhe e Top Music Awards do të transmetohet live në Top Channel, Top Albania Radio, në livestream, si dhe në Tirana Fan Zone.

Top Channel