Euro 2016, çfarë ndodhi në fazën me grupe

23/06/2016 00:00

Me përfundimin e fazës së grupeve të kampionatit europian në Francë, UEFA me krenari vuri në pah një statistikë këtë të enjte: asnjë ekip nuk mundi të fitonte 3 ndeshje radhazi. As kampionët e botës në fuqi të Gjermanisë, e sigurisht as dy herë kampionët në fuqi të Europës, Spanja, që u kualifikua për më tej vetëm si e dyta në grup.

Mungesa e të ashtuquajturave “fitore të lehta” ofron një triumf “drejtësie” për UEFA-n, e cila bëri një ndryshim historik gjatë këtij edicioni të Europianit duke shtuar 8 ekipe më shumë e duke e kthyer këtë eveniment me 24 ekipe.

Le të shohim më poshtë gjithçka ndodhi në fazën e grupe të kompeticionit më të rëndësishëm kontinental, teksa ekipet kanë marrë dy ditë pushim përpara se të nisin të shtunën fazën e 1/8-ave me eliminim të drejtpërdrejtë.

Ata që shkruan historinë

Pjesë e gëzimit të këtij zgjerimi të kampionatit europian ka qenë padiskutim pjesëmarrja e 5 ekipeve të reja debutuese, të cilët faktikisht rezultuan se nuk ishin thjesht për “piknik” në Francë, por shumë më tepër sesa kaq. E sigurisht gëzimi i tifozëve të tyre ka qenë i jashtëzakonshëm, pasi shumica shijuan edhe kënaqësinë e të kualifikuarit për më tej, për herë të parë në një kompeticion të këtyre përmasave. Vetëm Shqipëria nuk mundi të qëndronte më gjatë në “Francë 2016, pasi Islanda, Irlanda e Veriut, Sllovakia dhe Uellsi do të vijojnë aventurën në fazën e 16-sheve. Uellsi madje rezulton si ekipi që ka shënuar më shumë gola, së bashku me Hungarinë, me nga 6 të tillë.

Ndeshje pikante, lojtarë decizivë

U desh raundi i fundit i ndeshjeve në grupe, e madje ndeshja e 34-t e këtij kompeticioni, për të parë atë që konsiderohet si sfida më kaotike e zhvilluar deri më tani. Bëhet fjalë për “thriller”-in prej 6 golash mes Portugalisë dhe Hungarisë. Në këtë ndeshje u shënua më shumë se trefishi i golave mesatarë në një ndeshje të këtij Europiani (1.92) që po zhvillohet në Francë, që është edhe mesatarja më e ulët që prej Europianit të vitit 1992, ku merrnin pjesë vetëm 8 ekipe. Barazimi 3-3 mes Portugalisë dhe Hungarisë ishte një sfidë tepër e hapur, ndryshe nga të tjerat që kanë qenë të forta dhe të fokusuara më së shumti në mbrojtje. Cristiano Ronaldo rigjeti më në fund golin, madje shënoi dy të tillë, në një moment kur gjatë asaj sfide të së mërkurës u shënuan plot 4 gola në 17 minuta. Portugezi i Realit të Madridit regjistroi edhe dy rekorde: atë të të shënuarit më shumë gola në kampionatet europiane, me 17 të tillë, dhe atë të të shënuarit në më shumë kampionate radhazi të të paktën një goli (4 kampionate). Ajo që mungonte më së shumti ishin kartonët e kuq, pasi deri më tani janë dhënë vetëm dy të tillë në 36 sfidat e grupeve: Cana i Shqipërisë dhe Dragoviç i Austrisë.

Përshtypjet më të mëdha

Lojtari më i shtrenjtë në historinë e merkatos botërore, me një vlerë mbi 100 milionë euro, tregoi më së miri vlerat e tij për një barrë kaq të rëndë mbi supe në debutimin e kombëtares së tij në një Europian, e ky është Gareth Bale i Uellsit, i cili shënoi në të trija sfidat në grupe, duke lënë në hije edhe shokun e tij të skuadrës, Cristiano Ronaldo me Portugalinë. Por Uellsi nuk u mbështet vetëm te golat e Bale, pasi ky i fundit shënoi vetëm gjysmën e golave të kombëtares. Lojtari tjetër që la shenjë në këtë fazë ishte Dimitri Payet, një mesfushor sulmues që nuk ishte në planet e Deschamps për të qenë titullar te Franca përpara se të niste turneu, por që tani duket i pazëvendësueshëm. Ai u siguroi “Gjelave” apo “Les Bleus” fitoret në dy sfidat e para: me Rumaninë dhe me Shqipërinë, i pashqetësuar fare nga presioni për të performuar sa më mirë përpara publikut të vendit organizator.

Vështirësitë për të shënuar të sulmuesve

Zlatan Ibrahimoviç, mbi të gjithë, la shumë pak përshtypje të mira në turneun e tij të fundit me Suedinë, teksa dështoi të shënonte qoftë edhe një gol të vetëm për kombëtaren e tij, e cila u skualifikua që në fazën e grupeve. Kjo do të thotë që sulmuesi shtatlartë i dha fund karrierës me kombëtaren pa ndonjë lavdi të veçantë dhe pa një trofe. Por në këtë aspekt, Ibrahimoviç nuk ka qenë i vetëm. Mario Mandzukiç i Kroacisë, Robert Leëandoëski i Polonisë dhe Harry Kane i Anglisë i bëjnë shoqëri suedezit, vetëm se për pak kohë pasi këta të fundit kanë ende mundësi të lënë ndonjë shenjë në ndeshjet e 1/8-ave.

Sa turp për tifozët… por jo për të gjithë

Siguria e Europianit ishte përforcuar jashtëzakonisht për “Euro 2016”, edhe për shkak të sulmeve vdekjeprurëse të ekstremistëve në Paris gjatë nëntorit të vitit të kaluar. Por sfidat për policinë gjatë këtij turneu nuk kanë sosur gjithsesi, pasi atyre u është dashur të përballen me huliganizmin, siç njihet fusha e tifozëve të rrëmujshëm dhe të dhunshëm mbi të gjitha. Marseja pa trazirat më të rënda nga të gjitha qytetet e tjera organizatore të Europianit. Gjithçka nisi me përplasjet mes tifozëve të Rusisë dhe Anglisë në Marsejë në ditët e para të turneut, por ditët e fundit gazi lotsjellës dhe pompat e ujit janë përdorur edhe në shpërndarjen e tifozëve të Polonisë, në qytetin bregdetar jugor. Sa i përket atyre që lanë kujtime të bukura, nuk mund të bënin përjashtim edhe tifozët e Shqipërisë, të shumtë në numër në të trija qytetet e stadiumet ku u zhvilluan ndeshjet e kuqezinjve.

Top Channel