Heronjtë kthehen në shtëpi; pritje ceremoniale në Tiranë

23/06/2016 00:00

Menjëherë pas uljes së avionit në Rinas, “Kuqezinjtë” u nisën drejt Tiranës me një eskortë të stërzgjatur me makina të mediave dhe të tifozëve që përshëndetën të parët heronjtë e tyre.

Ndalesa e parë e kombëtares ishte Bashkia e Tiranës, ku morën në shenjë mirënjohje nga kryebashkiaku Veliaj “Çelësin e kryeqytetit”.

Në fjalën e rastit, kapiteni Cana falenderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme që kanë treguar për skuadrën në Francë, por edhe me kthimin në atdhe.

“Përveç faktit që është jashtëzakonisht nxehtë, jemi shumë mirënjohës për praninë tuaj dhe nuk do t’ju mbaj shumë gjatë. Ju falënderoj në emër të ekipit për mbështetjen e vazhdueshme dhe për pritjen. Ne e kemi një atdhe dhe patjetër që Tirana është kryeqendra e saj dhe sa herë që jemi këtu e ndjejmë veten si në shtëpinë tonë. Edhe njëherë shumë faleminderit dhe shpresojmë që të vazhdojmë edhe më tej, sikurse ekipi kombëtar, sikurse vendi ynë dhe kryeqyteti ynë”, u shpreh Lorik Cana.

Pas Bashkisë, autobusi i Kombëtares mbërriti në Ministrinë e Jashtme, ku pas pritjes së rastit hodhën firmat dhe nisën aplikimin për pasaportat diplomatike, në shenjë mirënjohje për atë që dhanë në Francë.

Pas Ministrisë së Jashtme, “Kuqezinjtë” iu drejtuan Kryeministrisë të përshëndetur nga qindra tifozë të mbledhur në Bulevard. Këtu, lojtarët dhe stafi teknik u pritën nga shefi i Qeverisë, Edi Rama.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel