Sadiku: Jam shumë i lumtur, ja kujt ia dedikoj golin

19/06/2016 00:00

Armando Sadiku shpërblen besimin e trajnerit De Biasi duke shënuar golin më të rëndësishëm me fanellën e kombëtares. Pas sfidës, ai u shpreh shumë i lumtur, ndërsa tregoi se kujt ia dedikoi golin.

“Jam shumë i lumtur që arritëm të marrim një fitore historike, doja të falënderoj të gjithë çunat, trajnerit për besimin, i cili më a ndihmuar, besoj e kam shpërblyer me golin. Goli? As nuk e kam parë topin duke shkuar në rrjetë, vetëm shokët që po vinin drejt meje duke festuar. Unë doja të shkoja drejt stolit për të festuar me të gjithë sepse çdo njeri, duke filluar nga masazhatori kanë dhënë një dorë në këtë sukses dhe golin dua t’ju dedikoj atyre”, tha ai.

Sadiku tha se tani do të presin për ndeshjet e ardhshme dhe do të lutën që rezultatet në grupet e tjera të shkojnë në favor të Shqipërisë.

“Ne tani do të shkojmë në hotel dhe do të presim ndeshjet e ardhshme. Lutemi që ekipet e tjera te ngecin dhe të vazhdojmë ne. Tifozët? Janë të mrekullueshëm, është një ndjenjë e papërshkrueshme të luash përballe tyre në këto stadiume”, tha ai.

Top Channel