“Reforma” mbërrin në Kuvend, firmoset nga 33 deputetë

17/06/2016 00:00

Mazhoranca depozitoi të premten në mesditë nismën për ndryshimin e Kushtetutës. Ky është drafti final i miratuar vetëm me votën e mazhorancës të martën në Komisionin për reformën në drejtësi.

Deputetët firmëtarë për ndryshimin e Kushtetutës janë 33, të gjithë socialistë me përjashtim të dy deputetëve që përfaqësojnë aleatët qeverisës, Petrit Vasilin e LSI-së dhe Tahir Muhedinin e PDIU-së.

Kjo do të thotë se drafti mbështetet zyrtarisht nga 87 deputetët që kanë së bashku të tre grupet parlamentare qeverisëse nga 94 vota që duhen gjithësej.

Por derisa të shkojë për votim do të duhen të paktën edhe dy javë. Procedura parlamentare përcakton lajmërimin e Kuvendit në seancën më të parë plenare.

Projektligji me ndryshimet kushtetuese u shpërndahet deputetëve dhe ai futet menjëherë në programin e punës. Megjithatë, diksutimi i tij në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit fillon vetëm dy javë pas depozitimit në Kuvend.

Që do të thotë se drafti me reformën në drejtësi do të shqyrtohet dhe do të shkojë për votim në Kuvend në fillim të korrikut. Ndërkohë, të hënën Komisioni i reformës në drejtësi do të nisë shqyrtimin e 7 ligjeve që do të miratohen bashkë me ndryshimet kushtetuese.

Ato quhen “paketë e emergjencës”, sepse janë jetike për nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi dhe ngritjes së disa strukturave.
Disa prej këtyre ligjeve janë ai për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligji për organizimin e gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe ligji që percakton funksionin e prokurorisë së posaçme dhe njësisë së hetimit të zyrtarëve të lartë.

Ligjet e reformës në drejtësi:

1-P.ligji për Gjykatën Kushtetutese
2-P.ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
3-P.ligji për organizimin e gjyqësorit
4-P.ligji për organizimin e Prokurorisë
5-P.ligji për mirëqeverisjen e organeve të drejtësisë
6-P.ligji për SPAK dhe Byroja
7-P.ligji për statusin e gjyqtarëve

Prej muajsh pati përpjekje për të arritur një marrëveshje mes mazhorancës me Partinë Demokratike për miratimin e kësaj reforme me konsensus. Por pas shumë përpjekjesh palët mundën të bien dakord pothuajse për të gjitha pikat, përveç kërkesës së vendeve të rezervuara që PD kërkonte në institucionet që krijoheshin nga kjo reformë.

Por mazhoranca, e mbështetur publikisht nga SHBA dhe BE, e quajti këtë një vijë të kuqe dhe nuk pranoi që partitë të kenë vende të rezervuara veçanërisht në procesin e vetingut.

Top Channel