Sanders: Do të bashkëpunoj me Clinton

17/06/2016 10:40

Bernie Sanders premtoi se do të punojë me kandidaten ende jozyrtare presidenciale Hillary Clinton, por nuk tha që lë garën apo që do ta mbështesë kandidaturën e saj. Senatori i Vermontit, gjatë një fjalimi për mbështetësit e tij, tha se ishte jetësore që ata të mos lejonin kandidatin republikan Donald Trump të fitojë Shtëpinë e Bardhë.

Ai gjithashtu premtoi se do të vazhdojë punë e tij për të shndërruar Partinë Demokratike. Sanders prej shumë javësh i reziston thirrjes për t’i dhënë fund fushatës së tij, sidomos pasi Clinton arriti numrin e duhur të delegatëve për kandidimin automatik.

Sanders fitoi zgjedhjet në 22 shtete amerikane dhe mori më shumë se 12 milionw vota, por Clinton mori 16 milionw vota dhe mbështetjen e delagatëve të lirë, duke u bërë “de facto” kandidatja e Partisë Demokratike për presidencën.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe zëvendësi i tij Joe Biden kanë dhënë mbështetjen e tyre për Clinton, diçka që Sanders nuk e ka bërë me shpresën se mund ta ndryshojë situatën në konventën e Partisë Demokratike në korrik dhe t’i zërë vendin Clintonit.

Sipas analistëve, kjo e ka shqetësuar jo pak Partinë Demokratike, e cila nuk dëshiron të shkojë e ndarë në konventë dhe më pas në zgjedhjet presidenciale kundër Donald Trump.

Top Channel