Duka driblon të ardhmen e De Biasit

16/06/2016 00:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një lidhje direkte në “Proçes Euro 2016” nga Perros-Guirec, refuzoi të komentonte të ardhmen e De Biasit në stolin e kombëtares, duke thënë se jemi të përqendruar vetëm tek ndeshja.

I pyetur nga Edi Manushi për “bisedat e ciltëra me puro dhe konjak” mes tij dhe De Biasit për periudhën post-Europian, Duka dha këtë përgjigje: “Konjak? Jo, këtu ka vetëm ujë dhe dieta. Edhe ne që s’jemi futbollistë na kanë futur në dietë. Ne gjithë kohën jemi bashkë, por pas çdo ndeshje kemi ndeshjen tjetër dhe nuk kemi kohë të humbim me gjëra të tjera”, u shpreh Duka.

Presidenti i FSHF-së foli edhe për atmosferën në kampin kuqezi, për të cilën tha se nuk është shumë e mirë, por gjithçka do të kalohet falë profesionalizmit të lojtarëve.

“Pas një rezultati dramatik në minutën e fundit nuk mund të kesh atmosferë të mirë pas ndeshjes, të gjithë e kanë atë pishman që pse nuk e shtymë ato minutat e fundit dhe të marrim një pikë nga ajo ndeshje. Gjithsesi me profesionalizmin që kanë dhe punën e stafit teknik do të mundohet të tejkalohet dhe të kujtohen momente te mira të atyre ndeshjeve që të bëjmë më të mirën në ndeshjen e ardhshme”, tha ai.

Pavarësisht rezultateve negative nga dy ndeshjet e para në grup, Duka thotë se skuadra është paraqitur mirë dhe të gjithë pa përjashtim kanë dhënë maksimumin në këto përballje.

“Çfarë kam biseduar me skuadrën dhe trajnerin ne jemi goxha të kënaqur me atë që kemi dhënë në fushë, të paktën me Francën, nuk kemi pishmanllëqe që nuk dha maksimumi njëri lojtar apo tjetri, ishim të përqendruar, dhanë gjithçka, nuk arritëm të marrim rezultat pozitiv, por mos harroni që kishim përballë skuadër me kualitete që ka lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Por, duke marrë parasysh që lojtarët tanë dhanë gjithçka në fushë nuk duhet të mërzitemi por të shohim nga ndeshja e ardhshme”, tha Duka.

Presidenti i FSHF-së u pyet edhe për faktin që lojtarët e stolit nuk po arrijnë të bëjnë diferencën, ndryshe nga skuadrat e tjera si Anglia, Rusia apo edhe Franca në rastin e ndeshjes kundër nesh.

“Franca bëri zëvendësime 250 milionë euroshe, pra ata tre lojtarë që u futën kushtojnë aq. Në ekipit tonë nuk ka diferenca të mëdha mes atyre që janë në fushë dhe atyre jashtë fushe. Ajo që na solli këtu është kolektiviteti, kështu që përveç freskisë nuk mund të bënin ndonjë gjë tjetër. Pastaj ne bëmë zëvendësime të detyruara, Veseli për Ajetin dhe Xhaka për Kukelin u bënë për arsye dëmtimesh”, tha ai.

De Biasi festoi 60-vjetorin në Perros-Guirec dhe Duka tregoi detaje nga festa në hotelin ku është akomoduar kombëtarja.

“Kemi bërë një festë familjare me futbollistë, stafin e zyrtarë të Federatës që janë në hotel. Kemi bërë një tortë me simbolin shqiptar, shqiponjën, dhe kemi kënduar këngën e zakonshme dhe i kemi uruar gjitha të mirat. Çunat i thanë trajnerit që donim t’i bënin dhuratë rezultatin e ndeshjes, por këtë nuk e arritëm dot dhe urojmë që të kemi kënaqur me lojën, por të bëjmë një dhuratë në ndeshjen ndaj Rumanisë”, tregoi Duka.

Kombëtarja shqiptare ende nuk ka arritur fitoren e parë në Europian, por Duka flet për një tjetër fitore të madhe të shqiptarëve në Francë.

“Besoj se paraqitja e ekipit dhe gjithçka shqiptare në Francë është për t’u krenuar. Kemi treguar që dimë të luajmë futboll, i kemi treguar me tifozët ne Lens dhe Marsejë se e duam futbollin dhe i gjithë shtypi botëror për të gjithë pjesën shqiptare flet me superlativa dhe unë e konsideroj si një fitore”, tha ai.

Top Channel