Kosova i vendos kushte Serbisë, Gjuriç i bën apel Brukselit

16/06/2016 00:00

Qeveria e Kosovës fajëson Serbinë për atë që e cileson si bllokim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel, “duke mos ndërmarrë asnjë hap në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të saj”.

“Pa dyshim që në Serbi mungon vullneti politik për të respektuar marrëveshjet e Brukselit. Në veçanti ajo e kodit telefonik dhe ajo për energjetikën”, thuhet në raportin gjashtëmujor për procesin e dialogut, i hartuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Qeveria e Kosovës thotë se është e përkushtuar për dialogun, sepse “ai kontribuon për paqen dhe stabilitetit në rajon, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe përparimin në rrugën e integrimeve euroatlantike”.

Ministrja thotë se e ka njoftuar rregullisht BE-në për bllokadat që Serbia po i bën Kosovës, por “BE-ja nuk ka bërë presion të mëtejshëm mbi Serbinë, siç ka kërkuar Kosova”.

Në raport thuhet se, qeveria nuk do të ndërmarrë asnjë hap në drejtim të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin, “për sa kohë që Serbia të mos heqë bllokadën për kodin telefonik, të mos zbatojë marrëveshjen për energjetikën dhe të mos heqë barrikadën nga ura qendrore në Mitrovicë”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i palës serbe pas kësaj deklarate. Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç tha se Brukseli duhet të reagojë ndaj përpjekjeve të Prishtinës për të vendosur kushte për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Është i nevojshëm një reagim për të ruajtur kredibilitetin e vet procesit të dialogut. Duhet të reagojnë kryesisht përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, më saktë BE-ja, me ndërmjetësimin e të cilëve janë arritur marrëveshje të tilla”, citon Tanjug fjalët e Gjuriç.

Top Channel