Mavraj: Stoli bëri diferencën, merituam 1 pikë

15/06/2016 00:00

Mërgim Mavraj mendon se Shqipëria meritoi një pikë në sfidën ndaj Francës, ndërsa në intervistën pas ndeshjes, thotë se nuk ka fjalë të përshkruaj dhimbjen që ndjejnë lojtarët.

“Është vështirë të gjesh fjalët e e duhura. Më dhimbsen të gjithë çunat sepse kemi luftuar deri në fund. E kemi merituar të paktën një pikë. E kam shumë të vështirë të përshkruaj se si po ndjehemi tani, por besoj nuk ndjehemi vetëm ne kështu, por të gjithë tifozët”, tha ai.

Një pikë do të ishte shumë e vlefshme jo vetëm për të mbajtur gjallë shpresat për të kaluar grupin, por edhe për ngritur moralin e lojtarëve të cilët hynë në këtë sfidë pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës.

“Për nga morali do të ishte shumë e vlefshme, një pikë ndoshta për të shpërblyer veten tonë për të gjithë mundin, por kështu është futbolli. Ne nuk jemi në nivelin e Francës, ata kanë në stol Griezman, Pogba të cilët futen në lojë dhe ndryshojnë lojën. Uroj që të gjejmë forcë dhe të ngremë kokën për sfidën me Rumaninë”, tha ai.

Top Channel