Hyseni, vizitë në Itali. Alfano përkrah heqjen e vizave për kosovarët

15/06/2016 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni është takuar në Romë me homologun e tij italian, Angelino Alfano. Në njoftim thuhet se ministrat kanë biseduar për një varg çështjesh të interesit të ndërsjelltë dhe në funksion të forcimit të mëtejshëmë marrëdhënieve dypalëshe të sigurisë Kosovë-Itali.

“Partneriteti strategjik midis Kosovës dhe Italisë në rrafshin e sigurisë dhe rendit e ligjit është i fortë”, tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni.

Dy ministrat biseduan edhe për krimin e organizuar ndërkombëtar dhe masat e veprimet që duhen marrë për luftimin efikas të tij.

“Koordinimi ndërkombëtar dhe këmbimi i informacioneve është thelbësor në këtë plan”, u tha në takimin e dy ministrave. Ata u pajtuan që Italia dhe Kosova të bashkëpunojnë ngushtë në luftimin e krimit.

Korridori ballkanik i emigracionit të refugjatëve nga Siria, përkatësisht nga lindja drejt zonës “Schengen” ishte po ashtu temë e bisedës midis ministrit Hyseni dhe ministrit Alfano. Në mënyrë të veçantë u trajtua çështja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri Hyseni nënvizoi se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan dhe aprovimi sa më i shpejtë i rekomandimit për heqjen e vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Europian. Ndërsa ministri Alfano theksoi se Italia përkrah heqjen e vizave për kosovarët.

Çështje tjetër e veçantë që u trajtua nga dy ministrat ishte edhe terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm. Të dy ministrat ranë dakord që Kosova dhe Italia të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë në përballje dhe në luftën ndaj këtyre kërcënimeve që tejkalojnë kufijtë kombëtarë të shteteve.

Ministri Alfano falënderoi ministrin Hyseni për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve, duke theksuar gatishmërinë e tij dhe të Italisë për të bashkëpunuar edhe më tutje në çështje me interes të veçantë, sikurse është terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Ministri Hyseni kërkoi përkrahjen e mëtejshëm të Italisë edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe avancimit të bashkëpunimit me Europol-in, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë të bashkëpunimit policor.

“Kosova duhet të anëtarësohet në këta mekanizma sa më shpejt, sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon”, u tha mes të tjerash në takimin e sotëm të dy ministrave në Romë.

Top Channel