Homazhe për viktimat e Orlandos, nga SHBA në Europë

14/06/2016 08:50

Homazhe janë mbajtur në Orlando të Floridës dhe në mbarë botën për viktimat e sulmit të së dielës në klubin e natës, ku mbetën të vrarë rreth 50 persona.

Një klerik mysliman u tha të pranishëmve në ceremoni se, myslimanët janë të bashkuar me ta kundër “ideologjisë së urrejtjes, vdekjes dhe shkatërrimit”.

Tubime të ngjashme janë mbajtur në disa vende të botës, përfshirë këtu Francën, Australinë, Britaninë, Gjermaninë dhe Italinë.

Sulmi në klubin e natës “Pulse”, për homoseksualët, la 49 të vdekur dhe disa dhjetëra të tjerë të plagosur.

Autoritetet amerikane deklaruan se, autori i masakrës Omar Mateen kishte deklaruar besnikëri ndaj Shtetit Islamik para sulmit, por vetë presidenti Obama në orët e fundit e ka hedhur poshtë pistën e terrorizmit.

Ndërsa klientë të shumtë të klubit të natës thanë për mediat amerikane se Mateen ishte një vizitor i rregullt i klubit. “Disa herë ulej i vetëm në një qoshe dhe pinte, herë të tjera dehej aq shumë sa që bëhej delirant”, tha një prej tyre.

Ndërsa dëshmitarë të tjerë e kanë njohur atë nga aplikacionet për takimet mes homoseksualëve.

Presidenti Obama pritet ndërkohë të vizitojë Orlandon më vonë gjatë së martës, për t’u bërë homazhe viktimave.

Top Channel