Funerali i Muhammad Ali, me mijëra i japin lamtumirën legjendës së boksit

10/06/2016 00:00

Me mijëra njerëz kanë marrë pjesë në ngjarjet që kanë shoqëruar të gjithë ditën e ceremonisë së funeralit të legjendës së boksit, Muhammad Ali, në vendlindjen e tij Louisville, të shtetit amerikan Kentucky.

Shikues të shumtë të rreshtuar anës rrugës mbanin në duar dhe tundnin foto të tij, si dhe thërrisnin në kor “Ali, Ali”, teksa vargu i kortezhit me makinën që transportonte trupin e tij të pajetë në krye, shkonte përmes qendrës së qytetit.

Ish-kampioni i peshave të rënda në boks dhe ish-aktivisti i të drejtave të njeriut ndërroi jetë të premten e kaluar në moshën 74-vjeçare. Kortezhi kishte për synim ta kalonte trupin e pajetë të Ali nëpër të gjitha vendet kyçe të jetë së tij, përpara se të zhvillohej shërbesa fetare përkujtuese.

Aktori Will Smith dhe ish-boksieri Lennox Leëis kanë qenë mes personave kryesorë që kanë mbajtur mbi shpinë arkivolin me trupin e pajetë të tij, ndërsa ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ashtu siç ishte njoftuar, do të lexonte edhe një prej eulogjive kushtuar atij.

Ndërkohë, shërbesa fetare do të zhvillohet në një prej qendrave sportive më të mëdha të vendlindjes së tij, aty ku biletat falas të nxjerra për pjesëmarrjen në këtë ceremoni mbaruan vetëm 30 minuta pasi u nxorrën për publikun.

Kortezhi nisi rrugëtimin e tij në orën 10:35 me atë lokale (16:35), me më shumë se një orë vonesë nga sa ishte parashikuar, dhe transportonte trupin e Ali në pranë shtëpisë së fëmijërisë, Qendrës “Ali”, Qendrës për Trashëgiminë Afrikano-Amerikane, e më pas në bulevardin “Muhammad Ali”.

Fansa të shumtë hodhën lule në makinën kryesuese të kortezhit, si dhe petale trëndafili përgjatë rrugës ku kalonte arkivoli i tij. I gjithë procesi që pritet të zgjasë 90 minuta, do të përfundojë në varrezat “Cave Hill”, aty ku Ali do të prehet përfundimisht, pas një ceremonie private të familjarëve të tij.

Top Channel