Britani, Major dhe Blair, së bashku kundër “Brexit”

09/06/2016 00:00

Ish-kryeministrat John Major dhe Tony Blair, përmes një fjalimi të përbashkët do t’u drejtohen britanikëve për t’i paralajmëruar mbi rrezikun që i kanoset unitetit të Mbretërisë së Bashkuar nëse votohet pro të ashtuquajturit “Brexit”.

Sipas BBC, pritet që Major dhe Blair të sugjerojnë se një votë pro largimit nga BE mund të rihapë prirjet e Skocisë për pavarësi dhe të vërë në rrezik të ardhmen e Irlandës së Veriut, duke kërcënuar stabilitetin e saj, të arritur me aq mund.

Sir John pritet të flasë për një “rrezik serioz” nga një referendum tjetër për pavarësinë dhe të nënvizojë se, nëse Skocia e gjen veten jashtë BE-së, rezultati i tij do të jetë shumë ndryshe nga ai i referendumit të vitit 2014.

Major do të argumentojë se votimi për të dalë nga BE-ja rrezikon gjithashtu “destabilizimin e marrëveshjes së komplikuar kushtetuese që ruan stabilitetin në Irlandën e Veriut”, rrezik që ai e ka përshkruar si një “rrezik të frikshëm”.

Në të njëjtat linja pritet të flasë edhe Tony Blair, i cili sipas BBC do të nënvizojë se “Brexit” do të prekte mes të tjerash edhe prosperitetin ekonomik të Irlandës.

“Irlanda e Veriut sot është më e stabilizuar dhe më e zhvilluar se kurrë, stabiliteti i saj mbështetet në themele të ndërtuara me kujdes. Prandaj ne jemi të shqetësuar se perspektiva e “Brexit” mund të vërë në rrezik pikërisht prsoperitetin dhe këto themele”, pritet citohet Blair.

Por sekretarja e Irlandës së Veriut, Theresa Villiers deklaroi se mbështetja për procesin e paqes atje është “solide si shkëmbi” dhe çdo qëndrim për kërcënimin e tij është i papërgjegjshëm.

Top Channel