Arrestohet “gjenerali” i trafikut të emigrantëve nga Libia. Ekstradohet në Itali

08/06/2016 00:00

E quanin “gjenerali” dhe për prokurorët e Palermos ishte koka e trafikut të njerëzve nga Libia në Itali. Eritreasi 35-vjeçar Medhane Yehdego Mered u ndalua në Sudan dhe është esktraduar drejt fqinjit tonë të përtej Adriatikut, ku konsiderohet si njëri prej personave më aktivë të rrugës libiano-nënsahariane.

Mered besohet të jetë, veç të tjerash, edhe personi që organizoi udhëtimin e anijes së fundosur në afërsi të ishullit italian të Lampeduzës tetorin e vitit 2013, kur gjetën vdekjen gati 360 emigrantë, shumica nga Eritrea dhe Somalia.

Agjencia kombëtare britanike e krimit thotë se e ka gjurmuar 35-vjeçarin deri në Kartum, ku edhe u krye prangosja e tij. Hetuesit britanikë po mbështesnin zyrtarët italianë në përpjekjet e tyre për të hedhur dritë mbi tragjedinë e Lampeduzës.

Në bisedat e përgjuara të Meredit është zbardhur deri diku mënyra e tij e të vepruarit dhe lëvizjes së parave. Në njërën prej tyre, “gjenerali” është regjistruar teksa pyet një person të quajtur Abdu, nëse mund të ketë probleme nga fakti që ka parà nëpër duar, e përgjigjja e bashkëbiseduesit është t’i përdorë me kujdes pa rënë në sy.

Abdu e informon Medhanen se, qeveria zvicerane kontrollon lëvizjet bankare dhe bën shumë pyetje, ndaj trafikanti kërkon atëherë të dijë nëse mund të shkojë në Dubai, t’i depozitojë paratë atje, e pastaj t’i kalojë në Europë. Abdu nuk sheh vështirësi në këtë rast, për sa kohë – siç thotë ai, – paratë depozitohen në një bankë ndërkombëtare.

35-vjeçari, sipas mediave italiane, është i martuar me një bashkëkombasen e tij rezidente në Zvicër, me të cilën ka një fëmijë 2 vjeç.

Top Channel