SHBA, Clinton e para femër kandidate për presidente

07/06/2016 00:00

Plot 96 vite pasi gratë fituan të drejtën e votës në Amerikë, një grua ka tashmë 50% mundësi për të qenë Presidente e Shteteve të Bashkuara. Hillary Clinton, bashkëshortja e ish-presidentit Bill Clinton, ish-senatore dhe ish-Sekretare e Shtetit, ka fituar nominimin zyrtar të Partisë Demokratike për Shtëpinë e Bardhë.

Të paktën kështu bëhet e ditur nga numërimi i “Associated Press”, sipas së cilës, ajo ka marrë mbështetjen e 2383 delegatëve, numrin e mjaftueshëm që t’i japë asaj emërimin në Kuvendin partiak.

Sikurse shpalli më herët Donald Trumpin si nominimin zyrtar për republikanët, “AP” thotë se superdelegatët kanë shprehur mbështetjen e tyre për Hillary Clintonin, e formalisht do të votojnë për të në Konventë.

Por, pavarësisht këtij rezultati që dikur dukej i pamundur, Hillary Clinton u ka bërë thirrje njerëzve që t’u drejtohen qendrave të votimit në primaret e mbetura. Në 6 shtete ka nisur votimi, përfshirë këtu Kaliforninë me 543 delegatë dhe Neë Jersey me 142 të tjerë.

Rivali i saj Bernie Sanders këmbëngul se, është shumë herët për të shpallur rezultatin. Raundi i fundit i primareve është në Uashington më 14 qershor, me 45 delegatë në garë. Në mediet amerikane komentohet gjatë fakti se, Clinton është e nominuara e parë femër për një parti të madhe politike.

Sondazhet tregojnë një ndarje dramatike të votës në bazë të gjinisë: burrat që votojnë për Trumpin, ndërsa gratë që favorizojnë Clintonin, edhe pse sipas këtyre anketave, niveli i mbështetjes për Clintonin në shkallë vendi është shumë pranë atij për manjatin amerikan të pasurive të patundshme, Donald Trump.

Top Channel