Premiera globale e “Warcraft”

07/06/2016 00:00

Aktorja Jamie Lee Kurtis ishte zhytur e gjitha në atmosferën e filmit “Warcraft” në premierën globale të të cilit u shfaq e lyer në të gjelbërt. Mes përbindëshave e kalorësve, aktorja që nuk është pjesë e filmit, rrëmbeu vëmendjen me lëkurën në ngjyrë jeshile, kapelën në formë briri me pupla, e fustanin pas trupit me pelerinën e gjatë.

Kurtis thotë se ishte aty si shamanë e përbindëshave, ndërsa i biri Tom ishte veshur si një prej këtyre të fundit.

Filmi mbështetet mbi videolojën  “World of Warcraft”, një prej lojërave më popullore sot “online”, që numëron miliona përdorues. Duncan Jones, i biri i muzikantit të ndjerë David Bowie, është njeriu që mori përsipër ta sjellë këtë “videogame” në jetë në ekranin e madh.

Por edhe pse adhuruesit e lojës i kanë dhënë filmit pëlqimin e tyre, kritika është treguar mjaft e ashpër me të. Ngjarjet zhvillohen në mbretërinë e fantazisë, Azeroth, ku përbindësha e njerëz bashkojnë forcat kundër një armiku të përbashkët e shumë të fuqishëm.

“Për aktoren Paula Patton, interpretimi në këtë film ishte një eksperiencë e magjishme. Është si të hapësh derën e të hysh në botën e çudirave, – thotë ajo. – Sheh kuaj, njerëz me kostume nga më të ndryshme, është kaq e larmishme, një mrekulli”, shprehet më tej ajo.

Në kinematë amerikane, “Warcraft” do të shfaqet nga data 10 qershor.

Top Channel