Rrëfehet Hysaj: Po jetoj ëndrrën

05/06/2016 00:00

Etiketohet si pasardhësi i Lorik Canës, lojtar i denjë për shiritin e kapitenit, por ndërsa kjo mbetet për t’u parë, ajo çfarë nuk vihet në diskutim për Elseid Hysajn, është talenti i tij.

Mbrojtësi i Napolit shihet si lojtari më i mirë i kombëtares, prandaj jo më kot është edhe lojtari më i shtrenjtë që kemi në përfaqësuese. Skuadra të shumta i janë vënë pas, por mendja e tij është vetëm tek Shqipëria dhe Europani që do të fillojë pas disa ditës.

Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, Hysaj shprehet optimist për kompeticionin, duke thënë se kombëtarja do të marrë secilën ndeshje me radhë, pa u përfshirë nga emocionet.

22-vjeçari arriti të realizojë ëndrrën e tij, por nuk harron të këshillojë lojtarët e rinj shqiptarë të cilët ashtu sikurse ai dikur, kanë ëndrra të mëdha që lidhen me një karreirë në futboll.

Intervista

Si ndiheni për faktin qe kombëtarja do të luajë në Europian?
Elseid Hysaj: Nuk mund ta besoja se me të vertetë mbërritëm këtu. Unë jam vetëm 22-vjeç. Është e pabesueshme, është e shkëlqyeshme. Shpresoj të fitojmë ndeshje në Francë.

Kjo është pjesëmarrja e parë për ekipin e Shqipërisë në Europian. Çfarë mendimi keni për këtë mundësi historike?
Elseid Hysaj: Ndjesia për këtë mundësi historike vërehet në fytyrat tona në fushën e lojës. Dalëngadalë po mësohemi me këtë fakt.

Kur i keni patur fillesat me futbollin? Kur keni filluar të luani si futbollist profesionist?
Elseid Hysaj: Isha 7-vjeç kur fillova të merresha me futboll. Në moshën 17-vjeçare kuptova se doja më shumë të bëhesha futbollist profesionist. Por nëse do ta arrish atëherë duhet të punosh, të strukturosh jetën tënde dhe t’i mbushësh planet me pasion dhe vitalitet. Kështu që fillova ta përmbush ëndrrën time dhe punova fort për këtë.

Çfarë këshille do ju jepje lojtarëve të rinj shqiptarë?
Elseid Hysaj: Duhet të silleni si profesionistë. Mos mendoni vetëm të bëni qejf, të dilni gjithmonë mbrëmjeve, ndiqni në mënyrë serioze planet dhe idetë tuaja.

Kush janë pritshmëritë dhe qëllimet tuaja personale në Europian?
Elseid Hysaj: Futbolli është i çuditshëm, por ne duhet të shohim ndeshje pas ndeshje dhe të presim.

Kush është ekipi juaj i preferuar në Europian?
Elseid Hysaj: Shqipëria.

Top Channel