Franca, në pritje të sfidës hapëse me Rumaninë. Favorite për turneun

05/06/2016 00:00

Franca po konfirmon nga ndeshja në ndeshje, se është në formë optimale për “Europianin 2016” dhe duket se, efektin e parë do ta ketë te rivalët e grupit finalist, duke përfshirë dhe Shqipërinë.

Nëse më parë formacioni i Gianni De Biasit ka fituar në miqësore, madje edhe barazoi në transfertë, këtë herë mundësitë reale janë thuajse minimale me organizatorët e turneut.

“Transalpinët” shihen si skuadra favorite për të triumfuar në finalen e madhe të 10 korrikut në Paris, teksa miqësorja e fundit, ku iu imponuan 3-0 Skocisë, konfirmoi fuqinë e repartit të avancuar. Giroud, dy herë, si dhe goli i Koscielnyt ishin pikat kulmore të sfidës së fundit në stadiumin e Metzit.

Pas kësaj, trajneri Didier Deschamps tha se është duke “zhdukur” dilemat e fundit për formacionin e ndeshjes hapëse ndaj Rumanisë më 10 qershor.

“Ishte një paraqitje e mirë, por ne mund të kishim shënuar më shumë në bazë të mundësive të krijuara. E morëm ndeshjen seriozisht, edhe pse ishte një miqësore. Tashmë i kam në kokë idetë sesi do ta nisim dhe si mund ta mundim Rumaninë. Na ndajnë pak ditë nga ‘Euro 2016’, ndaj dhe është e rëndësishme të punojmë për objektivin e përbashkët”, tha Deschamps.

Pas ndeshjes përuruese në Paris, Franca do të luajë ndaj Shqipërisë më 15 qershor, në stadiumin “Velodrome” të Marsejës.

Top Channel