Përmbytje masive në Teksas, humbin jetën 5 ushtarë

03/06/2016 00:00

Pesë ushtarë amerikanë kanë humbur jetën dhe katër të tjerë konsiderohen të humbur pasi automjeti i tyre u përfshi dhe u përmbys nga rrjedha e lumit në bazën Fort Hood, në Teksas.

Burime nga baza ushtarake deklaruan se automjeti me peshë 2.5 tonë po kryente një stërvitje rutinë kur u rrëmbye nga rryma e fuqishme për shkak të përmbytjeve.

Tre nga viktimat u gjetën të vdekur pak pas aksidentit, ndërsa dy trupa të tjerë u rekuperuan më vonë. Tre ushtarë të tjerë ndërkohë u shpëtuan dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme në spital.

Gjenerali John Uberti deklaroi në një konferencë për shtyp se, kërkime për 4 ushtarët e humbur janë ende në vazhdim. Ushtria nuk i identifikoi viktimat për mediat, për shkak se do të njoftonte më parë familjarët e tyre.

Mjete ajrore dhe ekipe shpëtimi të pajisur me qen të stërvitur, në tokë dhe ujë, po kryejnë kërkimet përgjatë Përroit të Kukuvajkës, i gjatë 20 milje dhe që ndodhet 12 milje në veri të bazës Fort Hood.

Top Channel