Luksi i futbollistëve; Shqiptarët në kushte më komode se italianët e belgët

03/06/2016 00:00

E gjithë vëmendja europiane do të jetë këtë qershor në Francë, aty ku 24 kombëtaret më të mira mes tyre edhe Shqipëria e De Biasit do të luajnë për të fituar titullin kampion të kontinentit. Por për të arritur suksesin e madh, lojtarët sigurisht që duhet të ndihen mirë nga ana fizike dhe psikologjike.

Për këtë federatat e shteteve pjesëmarrëse kanë vendosur t’u krijojnë futbollistëve kushte komode gjatë qëndrimit të tyre në Francë.

E përditshmja britanike Daily Mail ka bërë një renditje të federatave për shpenzimet e bëra prej tyre për akomodimin e skuadrës përfaqësuese.

Përsa i përket nivelit të futbollit, në renditjen e FIFA kombëtarja jonë renditet e fundit mes 24 përfaqësueseve që janë në Euro 2016.

Por përsa i përket shpenzimeve, federata jonë ka kapërcyer shumë federata, atë italiane, belge dhe atë zvicerane të cilat kanë buxhet disa herë më të madh se ajo e jona.

191 paund në natë për person është shifra që do të paguajë Duka në Hotel Agapa i cili është qendra ku do të akomodohen kuqezinjtë.

Vendin e parë e zë Anglia e cila ka zgjedhur një super hotel, i cili është vetëm 40 km larg Parisit.

Çmimi i dhomës në “Auberge du Jeu Paume” është 500 paund nata. Çuditërisht, vendin e dytë në listën e shpenzimeve e zë federata hungareze kombëtarja e të cilës rikthehet pas 44 vjetësh në një evropian.

469 paund / nata do të jetë shifra që do të paguhet nga federata hungareze gjatë këtyre finaleve.

Menjëherë pas tyre vijnë kampionët e botës të cilët kanë preferuar të qëndrojnë në një hotel i cili kushton 400 paund nata.

Ndërkohë, në listën e fundit të FIFA-s, Shqipëria renditej e fundit mes 24 kombëtareve pjesëmarrëse në këtë europian.

Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për federatën shqiptare e cila nuk është treguar aq dorështrënguar sa Italia, Zvicra apo Belgjika. Ne renditemi në vendin e 12 për shpenzimet e hotelit që kemi zgjedhur të qëndrojmë.

191 paund është kostoja e një nate në hotel Agapa, rreth 2 herë më i shtrenjtë se hoteli ku do të qëndrojë Zvicra, kundërshtari ynë i parë në këtë aktivitet.

Top Channel