Muhammad Ali në spital, shfaqi probleme në frymëmarrje

03/06/2016 00:00

Muhammad Ali shfaq probleme shëndetësore. 74-vjeçari që vuan sëmundjen e Parkinsonit, u shtrua në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i tij Bob Gunnell, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku theksoi se Ali nuk është në rrezik dhe se ai do të qëndrojë për vetëm pak kohë në spital.

Nuk është hera e parë që Muhammad Ali shtrohet në spital për probleme shëndetësore. Në dhjetor të vitit 2014, ish-kampioni i botës në boks për peshat e rënda u dyshua për pneumoni, por që pas ekzaminimeve mjekësore ai rezultoi se kishte një infeksion në rrugët urinare, për të cilën mori një trajtim të plotë në janar 2015.

Vitet e fundit, Muhammad Ali nuk është shfaqur në publik. Herën e fundit që kjo ka ndodhur ka qenë në Galanë “Celebrity Fight Night” në Arizona të ardhurat e siguruara nga e cila shkuan në llogari të Qendrës së Parkinsonit Muhammad Ali.

I cilësuar si më i madhi i të gjitha kohërave, Muhammad Ali u tërhoq nga sporti në vitin 1981 me një bilanc prej 56 fitoresh e 5 humbjesh.

Top Channel