Kanada, nis kthimi i banorëve në qytetin e shkrumbuar nga zjarret

01/06/2016 00:00

Disa prej banorëve të qytetit Fort McMurray janë lejuar të kthehen në shtëpi, pas zjarrit masiv që detyroi mbi 90 mijë njerëz të evakuoheshin. Autoritetet lokale në provicën e Albertës në Kanada thanë se janë krijuar kushtet, që banorët e qytetit të kthehen në shtëpitë e tyre.

Të parët prej tyre pritet që të mbërrijnë në qytet të mërkurën, megjithëse tri lagje të tij mbeten ende të izoluara dhe askush s’mund të hyjë atje. Autoritetet bënë me dije se, kushtet në zonë do të kontrollohen çdo ditë dhe planet mund të ndryshojnë, nëse situata përkeqësohet.

Mediet raportojnë se duhen plotësuar 5 kushte bazë që njerëzit të kthehen, përfshirë rimëkëmbjen e shërbimeve kritike, si ato shëndetësore dhe ato të policisë. Gjithashtu cilësia e ajrit, e cila pritet që të përmirësohet ndërsa vazhdojnë reshjet dhe temperaturat janë të ulëta.

Autoritetet paralajmëruan banorët që kanë vendosur të kthehen në qytet, që të mos harrojnë të ziejnë ujin para përdorimit dhe të mos kthehen duarbosh në shtëpitë e tyre, por të kenë me vete ushqime, ujë dhe pajisjet e nevojshme për të paktën dy javë.

Zjarri masiv, që shndërroi McMurrain në një qytet fantazmë, nisi më 3 maj dhe shkatërroi më shumë se 2.400 shtëpi dhe ndërtesa të tjera. Zjarri vazhdon ende dhe ka shkrumbuar 580 mijë hektarë, por sipas ekspertëve, për shkak të ndryshimeve të kushteve të motit nuk pritet që të rritet më.

Top Channel