KE, Juncker do të vizitojë Rusinë në qershor. Kritika nga udhëheqësit e tjerë

30/05/2016 00:00

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka pranuar të marrë pjesë në një ngjarje me natyrë ekonomike në Rusi gjatë muajit të ardhshëm, një lëvizje kjo që ka gjasa të nxisë debate mes udhëheqësve europianë për shkak të marrëdhënieve të tensionuara të BE-së me Moskën.

Zëdhënësja e KE-së tha gjatë kësaj të hëne se “Presidenti Junvker është ftuar dhe ka planifikuar të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Pjetërburg, më 16 qershor, për ta shfrytëzuar këtë mundësi për përçimin te drejtuesit rusë apo edhe te audienca e gjerë e interesuar, perspektivën e BE-së në lidhje me gjendjen aktuale të marrëdhënieve BE-Rusi”.

Juncker është përballur që tani me kritikat e disa prej zyrtarëve europianë, të cilët kanë ndjekur vijën e ashpër të ruajtjes në fuqi të sanksioneve ekonomike, që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur Rusisë që prej vitit 2014, për shkak të aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes së rebelëve në Ukrainë.

Ish-kryeministri i Luksemburgut, ndërkaq, ka bërë thirrje për një “marrëdhënie praktike” me Moskën. Zëdhënësja theksoi gjithashtu se Komisioni, që është edhe ekzekutivi i Bashkimit Europian, “ndan plotësisht” parimet kryesore të qasjes ndaj Rusisë, të rëna dakord nga të 28 qeveritë anëtare të bllokut.

Në një publikim të parimeve udhëheqëse të nxjerrë gjatë marsit, ministrat e Jashtëm të BE-së kanë theksuar sërish se, ndryshimi i sanksioneve kushtëzohet me një akord paqeje në Ukrainë, ndërsa bën thirrje për përmirësim të mbrojtjes kundër kërcënimeve të ndryshme nga Rusia. Megjithatë, ata mbështesin gjithashtu “angazhimet selektive me Rusinë” dhe “nevojën për t’u angazhuar në kontakte kokë më kokë”.

Në nëntor, Juncker i shkroi Presidentit rus, Vladimir Putin, duke i sugjeruar atij marrëdhënie më të ngushta tregtare mes Bashkimit Europian dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr prej Moskës, sapo të implementohej armëpushimi në Ukrainë. Në atë kohë, Kremlini e refuzoi këtë ide.

Në tetor, shefi ekzekutiv i BE-së shkaktoi polemika teksa tha në lidhje me konfrontimin se, “ne nuk mudn të veprojmë kështu” dhe se Europa nuk duhet të “diktohet” nga Uashingtoni për qasjen ndaj Rusisë. Vetëm 10 ditë më parë, zyrtarët e BE-së thanë se ishte ende e paqartë nëse Junckeri do të pranonte ftesën nga Kremlini. Po gjatë asaj kohe, një zyrtar europian e përshkroi një vizitë të tillë si “tepër të rrezikshme” politikisht, teksa theksoi se pjesëmarrja e Junckerit do të varej nga mospasja e ndonjë përkeqësimi të marrëdhënieve me Rusinë.

Top Channel