Dopingu në olimpiada, zbulohen 23 sportistë nga Lojërat e Londrës e Pekinit

27/05/2016 00:00

Pak javë para startit të Lojërave në Rio, bota olimpike goditet sërish nga dopingu.

Falë teknologjisë së re, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka ribërë testet antidoping të sportistëve që kanë marrë pjesë në Pekin 2008 dhe Londër 2012.

Në përfundim të analizave, 23 sportistë, të cilët 4 vjet më parë garuan në Angli dhe që këtë verë do të jenë në Brazil, kanë rezultuar pozitiv. Këto sportistë janë nga 5 disiplina dhe 6 federata të ndryshme.

“Këto analiza tregojnë edhe njëherë qëndrimin tonë në luftën ndaj dopingut”, ka deklaruar presidenti i CIO Tomas Bach. “Duam që të dopuarit t’i mbajnë larg Rio-s. Duam një olimpiadë të pastër”, ka përfunduar gjermani.

Në Londër 2012, Shqipëria është përfaqësuar me 11 sportistë, ndërkohë që Hysen Pulaku nuk arriti të garojë pasi rezultoi pozitiv ende pa nisur olimpiada. Testit antidoping në këto lojëra iu nënshtrua ekipi i peshëngritjes dhe atletja Klodiana Shala.

I vetmi nga shtanga që mori pjesë në Londër dhe shpreson të jetë në Rio 2016 është Briken Calja.

Nëse konfirmohet pjesëmarrja e tij në Brazil, atëherë 25-vjeçarit do t’i ribëhet analiza antidoping që bëri 4 vjet më parë në Londër.

Javën e shkuara drejtuesit olimpik pohuan se 31 atletë që garuan në Pekin, disa prej tyre edhe medalistë rezultuan pozitiv në ribërjen e testit antidoping.

Top Channel