Bieber akuzohet për vjedhje

27/05/2016 00:00

Tani për Justin Bieber është shumë vonë që të kërkojë ndjesë. Ylli i muzikës dhe dy bashkë-krijuesit e hitit të vitit 2015 “Sorry” janë paditur për vjedhje të linjës melodike nga një artiste tjetër, e cila e kishte përdorur përpara tyre në një këngë të vetën.

Kantautorja Casey Dienel, e cila performon nën emrin White Hinterland, e akuzoi Bieberin se ka kopjuar deri diku këngën e saj “Ring the Bell”, duke përdorur pa leje një frazë të përsëritur harmonike. Në mesin e të paditurve janë edhe producenti Skrillex dhe Vivendi’s Universal Music Group.

Dienel pretendon se “Sorry”, krijimi më i rëndësishëm i albumit të Bieberit me emrin  “Purpose”, me mbi 1.42 miliardë klikime në YouTube, ka përvetësuar karakteristikat e veçanta dhe unike të frazës së përsëritur vokale femërore të këngës së saj, duke e përdorur në 8 sekondat e parë dhe disa herë të tjera më vonë.

Kantautorja thotë se është përpjekur të diskutojë me yllin e “pop”-it për gjetjen e një zgjidhjeje, por ai i ka injoruar pretendimet e saj.

Top Channel