“Monger” në version shqiptar

26/05/2016 00:00

Muzikë “gipsy”, klasike e deri tek tingujt “rock” do të dëgjohen në skenën e Teatrit të Operës në datat 28 e 29 maj.

“Monger”, i cilësuar nga kritika botërore si një balet i shkëlqyer dhe inteligjent, është krijim i koreografit izraelito-amerikan, krijim të cilin pas shumë skenave, ai e sjell në Tiranë.

“Ka shumë ngjashmëri mes balerinëve izraelitë dhe atyre shqiptarë, por sigurisht kur merr një pjesë të shkruar për një kategori të caktuar balerinësh, duhet ta adaptosh për një tjetër kulturë dhe për trupa të tjerë balerinësh. Janë vetë balerinët tuaj që e kanë bërë këtë, ata kanë futur personalitetin e tyre shqiptar. Më duhet ta them se balerinët tuaj kanë shumë personalitet teatral”, u shpreh Barak Marshall, koreograf.

“Monger” sjell luftën për mbijetesë, ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit.

“E kam quajtur ‘Monger’, sepse kjo fjalë do të thotë ‘shitës’. Këta janë 14 shërbëtorë në bodrumin e një zonje shitëse tek e cila kanë shitur shpirtrat e tyre për të mbijetuar. Morali i baletit qëndron në atë që e keqja e njërit reflektohet edhe tek tjetri. Atëherë si mund të bëhemi më humanë? Si mund të shesim veten kur nuk kemi shpresë dhe të ardhme e kur vetëm bukuria e shpirtit është e vetmja mundësi?”, tha Marshall.

Top Channel