Shkëmbimi i të burgosurve Rusi-Ukrainë, ogur i një marrëdhënieje të re?

25/05/2016 00:00

Më një shkëmbim të burgosurish që kishte vënë në ethe për javë të tëra diplomacinë ndërkombëtare, Rusia dhe Ukraina kanë hapur një fazë të re marrëdhëniesh dypalëshe, të karakterizuara edhe nga disa momente paqeje në konfliktin mes tyre.

Negociatat kanë zgjatur disa javë dhe vetëm sot Moska liroi piloten ushtarake ukrainase Nadezhda Savchenko, e cila ishte dënuar në Rusi me 21 vjet burg për pjesëmarrje në vrasje, në sulmet në lindje të Ukrainës.

Ndërsa Kievi, nga ana e tij, ka liruar dy agjentë sekretë rusë, Alexander Alexandrov dhe Yevgeni Yerofeev, edhe ata të dënuar nga një gjykatë ukrainase sërish për konfliktin mes dy vendeve.

“Falenderoj të gjithë, sidomos ata që kanë humbur jetën. Kërkoj falje nëse sot nuk jam mes tyre”, ka deklaruar Savchenko në një konferencë shtypi bashkë me presidentin Poroshenko pasi kishte mbërritur në Kiev.

“Do të donim paqen, por për ta arritur ndonjëherë duhet lufta. Megjithatë, për fat të mirë është ‘Minsku’”, shtoi pilotja, duke iu referuar marrëveshjes së firmosur nga Rusia dhe Ukraina për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit ushtarak në Donbass, që i mori jetë disa mijëra personave.

Top Channel