Bariç refuzon Shqipërinë, ka frikë nga terrorizmi

25/05/2016 00:00

Plot 3 ftesa zyrtare ka marrë në postën e tij të zakonshme, veterani i pankinës Otto Bariç me specifikimin për të qenë prezent në një vend nderi në ndeshjet e Euro 2016. Por tekniku kroat i ka refuzuar të treja me frikën se në Francë këtë verë, mund të ndodhë diçka e cila do të kalojë në plan të dytë futbollin.

Ish-trajneri i Shqipërisë, Otto Bariç  ka marrë një ftesë nga FSHF, ashtu si ish-trajnerët e tjerë të ekipi kuqezi, për të qenë në Francë si një prej të ftuarve të institucionit të futbollit shqiptar.  Megjithatë, trajneri 82-vjeçar nuk do të udhëtojë drejtë Francës. Ai frikësohet se në shtetin francez mund të ndodhin sulme terroriste gjatë Euro 2016.

“Nuk dua të shkoj në këtë turne, madje për këtë i falënderova federatat që më ftuan pasi më duhet ta pranoj. Kam frikë që të udhëtoj në Francë. Jam trembur se diçka e keqe do të ndodhë dhe nuk dua të jem atje. Përveç Federatës kroate që më kërkoi për ndeshjen me Turqinë, jam ftuar edhe nga Shqipëria dhe Austria. Unë e di që autoritetet do të bëjnë të pamundurën për të evituar aktet terroriste por mendoj se në këtë vend ka rrezik të madh”, tha Bariç për gazetën “Jutarnji List”.
 
Trajneri dalmat mban nënshtetësi të dyfishtë kroate dhe austriake. Ai fitoi zemrat e tifozëve kur emërua në vitin 2006 në drejtimin e Shqipërisë pas një periudhe dy vjeçare ku kishte mbetur pa një pankinë të njohur.
 
Ai u dorëhoq nga pankina kuqezi pas humbjeve ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë, madje ndaj kësaj të fundit me humbjen 6-1. Edhe pse Bariç nuk ishte në stol i pezulluar, u largua pasi nuk mundi të pranonte lojën e shfaqur, pavarësisht se kishte pranuar të rinovonte.

Top Channel