Festivali i Filmit Mjedisor

24/05/2016 00:00

Festivali i Filmit Mjedisor ka çelur siparin për këtë vit, në edicionin e tij të katërt. Përgjatë dy javëve, mbi 56 filma do të konkurrojnë në këtë festival të mbështetur nga BE, duke pasur si qëllim ndërgjegjësimin mjedisor dhe vëmendjen kushtuar kujdesit ndaj tij.

“Është një shfaqje në të cilën grupojmë shumë filma nga jashtë, Ballkani dhe Shqipëria, të cilat do t’i shfaqim në 8 qytete në Shqipëri. Festivali ka për qëllim të ndërgjegjësojë më shumë publikun për çështjet mjedisore dhe zgjidhjet e tyre”, tha Antonie Avignon, përfaqësues i delegacionit europian.

Për rreth dy javë, filmat do të shfaqen në Tiranë, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë, Përmet, Ersekë, Çorovodë dhe Valbonë. Pjesëmarrëse nga 29 vende, filmat mbulojnë një spektër të vështjeve të mjedisit nga e gjithë bota.

“Ky festival kërkon të vendosë nën objektiv të rinjtë dhe studentët, për të përcjellë mesazhin që mjedisi është shumë i rëndësishëm. Ju keni një vend fantastik dhe është shumë e rëndësishme që ta mirëmbani, për shëndetin tuaj, për çështjet shëndetësore dhe ekonomike”, tha Philippe Theou, drejtor i festivalit.

Festivali i Filmit Mjedisor filloi në vitin 2013, si një platformë për shkrirjen e kinemasë me shqetësimet mjedisore. Që atëherë, ai ka shërbyer kryesisht te të rinjtë edhe për nxitjen e krijueshmërisë në prodhimin e filmave.

Top Channel