Bletët ndjekin për dy ditë makinën

24/05/2016 00:00

Besnikëria e ka një kufi, por jo për bletët. Një koloni prej rreth 20 mijë bletësh kanë ndjekur për dy ditë një makinë, ku kishte mbetur e bllokuar mbretëresha e tyre.

I gjithë horrori për të zotin e makinës ka nisur kur Roger Burns, një rritës bletësh nga Uellsi, po transportonte një koloni të tyren në një kuti kartoni. Papritur, nxitur edhe nga era e fortë që frynte, kutia u hap dhe bletët u shpërndanë.

Në këtë moment, mbretëresha duket se ka gjetur strehë në bagazhin e një automjeti Mitsubishi Outlander, ndoshta e nxitur edhe nga ndonjë gjë e ëmbël që mund të ketë nuhatur.

Zotëruesi i makinës largohet pa e ditur aventurën e tmerrshme që do ta shoqëronte më pas. Një ditë më vonë, disa kilometra nga ku ishin shpërndarë bletë, ai vëren disa prej tyre të mbledhura në pjesën e pasme të makinës së tij.

U mundua t’i largojë dhe ja arriti qëllimit disi. Por ditën tjetër u përsërit e njëjta situatë, madje numri i bletëve ishte më i madh. Për këtë ai vendosi të thërrasë sërish Roger Burns, që njihej si rritës bletësh në zonë.

Roger e kuptoi se përse bëhej fjalë.

“Kam 3 dekada që rris bletë, por asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë. Është në natyrën e bletëve që të ndjekin mbretëreshën e tyre, por ta bëjnë këtë duke ndjekur për dy ditë një makinë, kjo është e pazakontë”, shprehet ai.

Fatmirësisht, tmerri dyditor i zotëruesit të Mitsubishit u mbyll lumturisht; Roger dhe dy miq të tij nxorrën mbretëreshën dhe së bashku me koloninë e saj e vendosën sërish në një kuti.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel