Itali, ndërron jetë kreu historik i radikalëve Marco Pannella

19/05/2016 00:00

Pas një periudhe të kaluar në një klinikë në Romë, u shua këtë të enjte në moshën 86-vjeçare, Marco Pannella, udhëheqësi historik i radikalëve italianë.

Lajmi u dha nga “Radio Radikale”, që prej ditësh informonte dëgjuesit për gjendjen shëndetësore të atij që konsiderohej si një prej protagonistëve të betejave më të rëndësishme civile të historisë italiane.

Ai do të kujtohet si promotori numër një i ligjit mbi “divorcin dhe legalizimin e abortit”, kundërshtar i vendosur i privilegjeve të partive, në sfidë të përhershme kundër padrejtësive dhe konflikteve.

Marco Pannella ka qenë deputet në 5 legjislatura dhe shquhej për oratorinë e tij të rrallë. Mbahen mend betejat e tij nëpërmjet grevave të urisë, shpesh të zgjatura, deri sa transportohej në spital në gjendje të rënduar.

Shpesh ka qenë në Shqipëri dhe konsiderohej mik i shqiptarëve. Pas tragjedisë së anijes “Kateri i Radës”, e mbytur në vitin 1997 prej goditjes nga një motovedetë italiane, ai organizoi manifestime për të denoncuar atë që e quante masakër të shtetit italian.

Top Channel