Monodrama “I marri fisnik”

19/05/2016 00:00

Problemet e shoqërisë shqiptare vijnë sërish nën interpretimin e aktorit Mehdi Malkaj, këtë herë në monodramën “I marri fisnik”. Pjesa godet në çdo kohë, jo vetëm klasën politike, por dhe masat e gjëra të popullit, që bëjnë zgjedhje pa ditur se çfarë po zgjedhin.

“Është një personazh që kërkon tërë kohën të ndërtojë një urë. Ky do gurët e kalasë për të ndërtuar urën. Të prishësh historinë për të ndërtuar një të ardhme. Por neve, edhe historinë e prishim, edhe urat nuk i ndërtojmë dot”, shprehet aktori Mehdi Malkaj.

Në gojën e të marrit fisnik, autori sjell të vërtetat, sepse në kohë të marra, vetëm të marrët nuk kanë frikë nga asnjë sistem.

“Ato që janë në thelb të të gjithë monodramës, është e lashtë sa bota. Fjala na është dhënë për të thënë diçka. Ndërsa ai duke qenë i marrë nuk ka frikë nga koha, flitet për diktaturën, dhe për pasojë i thotë edhe disa të vërteta, që ata që e kanë mendjen në rregull nuk do t’i thonin dot”, thotë Daut Gumeni.

“I marri fisnik” do të shfaqet premierë mbrëmjen e së shtunës në Teatrin Eksperimental.

Top Channel