Superiorja ul siparin, “skenarët” e javës së fundit

18/05/2016 00:00

Sot luhen ndeshjet e javës së fundit të Kategorisë Superiore ku do të zgjidhen të gjtha enigmat e këtij sezoni.

Vëmendja më e madhe do të jetë në Vlorë dhe në Tiranë, ku do të luhen ndeshjet Flamurtari-Skënderbeu dhe Partizani-Teuta me Skënderbeun dhe Partizanin që po luftojnë për titullin kampion.

Skuadrës korçare i duhet të fitojë ndaj vlonjatëve për të shënuar suksesin e 6 radhazi në kampionat. Skënderbeu mund ta fitojë titullin edhe nëse barazon apo humbet me Flamurtarin, por në këtë rast duhet të shpresojë që edhe Partizani të shënojë të njëjtat rezultate me të në sfidën me Teutën.

Nga ana tjetër, Partizani duhet të mposhtë Teutën dhe të shpresojë në një hap fals të korçarëve në Vlorë për të festuar këtë titull që të kuqve iu mungon që nga viti 1993.

Interes ka edhe sfida mes Kukësit dhe Tiranës. Skuadra verilindore do të kërkojë që të blindojë vendin e tretë që do ta ndihmonte të përgatisë në mënyrën më të mirë të mundshme finalen e Kupës. Sytë nga kjo ndeshje do t’i ketë edhe Teuta që do të shpresojë në një ndihmë të bardhebluve në synimin e saj për të hyrë në Europë.

Për sa i përket mbijetesës, Bylis do të luajë me Vllazninë ku duhet të fitojë me çdo kusht ndërkohë që do të duhet të shpresojë edhe në një humbje të Laçit ndaj Tërbunit e Flamurtarit ndaj Skënderbeut për të siguruar qëndrimin në Superiore.

Top Channel