Konflikti sirian, fuqitë botërore angazhohen për forcimin e paqes dhe shtimin e ndihmave

17/05/2016 00:00

Fuqitë botërore, por edhe ato rajonale, të mbledhur në Vjenë gjatë kësaj të marte, kanë rënë dakord për të përforcuar paqen e brishtë në Siri dhe të sigurojnë që ndihmat të shkojnë deri te palët më të interesuar, në komunitetet e rrethuara.

Furnizimet nga ajri për zonat në nevojë do të vazhdojnë të jenë në fuqi, nëse hyrja përmes tokës do të jetë e pamundur edhe gjatë muajit qershor, bëri të ditur Grupi Ndërkombëtar i Mbështetjes për Sirinë (ISSG).

Palët ndërluftuese, të cilat kanë vazhduar të shkelin paqen 11-javore, mund të përjashtohen nga marrëveshja, paralajmërohej nga konkluzioni i këtij grupi, i cili po përpiqet të rigjallërojë bisedimet për paqe, pasi ato u ndërprenë në prill për shkak të mosmarrëveshjeve mes qeverisë siriane dhe opozitës.

Rebelët e moderuar opozitarë thonë se nuk mund të vijojnë bisedimet mes dhunës gjithnjë e në rritje përreth qytetit verior të Aleppos, si dhe pengimit të furnizimeve të nevojshme ndihmëse.

I dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura, raportohet të ketë shumë shpresë për të rinisur një raund të ri negociatash në Gjenevë deri në fund të majit. Por, ai tha se nuk mund të ftonte të dyja palët sërish në tryezën e bisedimeve, për sa kohë që nuk ka një armëpushim “të besueshëm” në terren.

Në luftimet e fundit, aktivistët monitorues të luftës civile në Siri bënë të ditur se 50 persona u vranë në përplasjet mes fraksioneve rivale të kryengritësve në lindje të Damaskut. Më shumë se 250 mijë njerëz janë vrarë në total dhe 11 milionë të tjerë janë zhvendosur, që kur nisën trazirat kundër Presidentit Bashar al-Assad në vitin 2011.

Grupi “ISSG” ka përcaktuar si afat përfundimtar datën 1 gusht për formimin e një qeverie tranzicioni në Siri, që do të udhëhiqte vendin drejt zgjedhjeve brenda 18 muajve. Gjithsesi, negociatorët qeveritarë nuk kanë treguar asnjë shenjë angazhimi në bisedimet thelbësore mbi këtë çështje, duke nxjerrë si pengesë çështjen e të ardhmes së Presidentit Assad. Qeveria siriane refuzon thirrjet për dorëheqje të Assadit, ndërsa opozita e mbështetur nga Perëndimi dhe nga Arabia Saudite thonë se çdo marrëveshje për paqe duhet të përcaktojë hapat drejt fundit të këtij regjimi.

Duke folur pas takimit të së martës të “ISSG”-së, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se fundi i konfliktit nënkupton që “një shumëllojshmëri interesash konkurruese do të duhet të harmonizohen”.

“Të përfshirët në këtë konflikt, pavarësisht se kanë axhenda rivalizuese apo konkurruese, do të duhet të prioritizojnë paqen mbi të gjitha”, tha Kerry. Kryediplomati amerikan bëri thirrje ndaj të gjitha palëve të intensifikojnë përpjekjet për të ndalur në mënyrë absolute përdorimin e forcës pa dallim, të ndalin bombardimin e zonave me civilë, si dhe të mohojnë çdo lidhje me grupet rivale xhihadiste, si Shteti Islamik apo Fronti al-Nusra, të cilat janë të përjashtuara nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia në fund të muajit shkurt.

Top Channel