“Ndëshkuesi” paralajmëron kriminelët: Do t’ju dënoj me varje në litar

17/05/2016 00:00

Presidenti i sapozgjedhur i Filipineve, Rodrigo Duterte, tha se do të përpiqet që të rikthejë dënimin me vdekje në legjislacion, në komentet e para pas fitores së zgjedhjeve. Ai shtoi se gjithashtu do të kërkojë që forcave të rendit t’i jepen fuqi për të vrarë të dyshuarit që ja mbathin dhe ata të përfshirë në krimin e organizuar.

Nuk është e qartë sa të lehtë apo të vështirë do ta ketë që të realizojë premtimet e tij, por ekspertët thonë se ky qëndrim tejet i ashpër ndaj krimit i dha fitoren në zgjedhje.

Duterte, i njohur edhe me nofkën “Ndëshkuesi”, do të betohet më 30 qershor dhe do të marrë atë ditë detyrën si President i vendit për 6 vitet e ardhshme. Në intervistën e tij, ai tha se është i gatshëm për raporte më të ngushta me Kinën dhe gjithashtu të zhvillojë bisedime me Pekinin për kontradiktat në detin e Kinës Jugore.

Por sigurisht, vëmendja është përqendruar tek qëndrimi i tij ndaj krimit. Duterte njihet si kryebashkiaku që zhduku krimin në qytetin Davao që drejton që prej vitit 1988 dhe kjo i dha edhe nofkën “Ndëshkuesi”.
 
“Do t’i kërkoj Kongresit që të rikthejë në fuqi dënimin me vdekje me varje. Nëse dikush i reziston policisë apo shfaq dhunë, urdhri do të jetë që të vritet. Kjo do të aplikohet për krimin e organizuar. Policia do të qëllojë për të vrarë kur bëhet fjalë për krimin e organizuar”, deklaroi Duterte.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se qindra kriminelë u vranë nga skuadrat e vdekjes në Adavo gjatë kohës që qyteti drejtohej nga Duterte dhe në vitin 2015, organizata Human Rights Watch e quajti atë “kryebashkiaku i skuadrave të vdekjes”.

Duterte krijoi mjaft debat në vend kur tha se si President do të firmosë një urdhër falje për veten në mënyrë që të mos gjykohet pas presidencës për vrasjet e shumta që do të ketë bërë.

Top Channel