SHBA mbështet armatosjen e qeverisë libiane të unitetit, kundër ISIS-it

16/05/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara, sikurse edhe fuqi të tjera botërore, kanë bërë të ditur gatishmërinë e tyre për të armatosur qeverinë e unitetit në Libi, të mbështetur edhe nga Kombet e Bashkuara, duke e ndihmuar në luftën kundër grupit të ashtuquajtur të Shtetit Islamik.

Duke folur nga Vjena, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se fuqitë botërore do të mbështesin Libinë në kërkesën e kësaj të fundit për t’u përjashtuar nga embargoja e armëve të vendosur nga OKB-ja. Ai tha se ISIS përbën një “kërcënim të ri” ndaj Libisë dhe se është “e domosdoshme” që grupi xhihadist të ndalej.

Muajin e kaluar, qeveria libiane paralajmëroi se ISIS mund të pushtojë pjesën më të madhe të vendit, nëse nuk ndalet menjëherë.

Për këtë arsye, kryediplomati amerikan Kerry është shprehur se “Qeveria e Akordit Kombëtar është entiteti i vetëm që mund të bashkojë vendin. Kjo është e vetmja rrugë për të siguruar që institucionet jetike të rikthehen nën mbikëqyrjen e autoriteteve përfaqësuese dhe të pranuara nga të gjithë”. E duke thënë këtë, ai nënkuptoi se “kjo është e vetmja mënyrë për të gjeneruar kohezionin e nevojshëm për të mposhtur ‘Daesh’-in”, duke iu referuar Shtetit Islamik me emërimin në gjuhën arabe.

Kerry argumentoi më tej se mbështetja për armatosjen e qeverisë ishte pjesë e një pakete masash të rëna dakord gjatë takimit, të cilat përfshijnë gjithashtu edhe përshpejtimin e ndihmave joushtarake për Libinë.

Ai deklaroi më tej se “Qeveria e Akordit Kombëtar”, përveçse duhet të luftojë ISIS-in, duhet të marrë nën kontroll të plotë ministritë e vendit, të mbështetur në çdo lëvizje nga komuniteti ndërkombëtar.

Vendi afrikanoverior është përfshirë në kaos që prej rrëzimit nga forcat e mbështetura nga NATO, të diktatorit Muammar Gaddafi në tetor të vitit 2011. Deri më tani, në Libi ka pasur dy qeveri që rivalizonin për pushtet, e përveç tyre edhe qindra milici, disa prej të cilave aleate me ISIS-in.

Vendet e Perëndimit shpresojnë që qeveria e re e unitetit të mund ta luftojë Shtetin Islamik, militantët e të cilit kanë krijuar një bastion të tyrin në Sirte, vendlindja e ish-kolonel Gaddafit.

Top Channel