Spanjë, tym toksik nga djegia e mijëra gomave pranë Madridit

13/05/2016 00:00

Një zjarr kolosal, në një vendgrumbullimi gomash të përdorura në Spanjë, ka shkaktuar një re të zezë tymi toksik, duke detyruar autoritetet që të paralajmërojnë banorët e zonës të mbajnë dyert dhe dritaret e mbyllura.

Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit janë në vendgjarje dhe po përpiqen të fikin zjarrin në qytetin Sesena, vetëm 35 kilometra larg Madridit. Disa shkolla në qytet u mbyllën, ndërsa njerëzit me probleme frymëmarrjeje u paralajmëruan që të shmangin daljet nga banesat e tyre.

Fatmirësisht nuk ka raporte për lëndime në njerëz, ndërsa autoritetet thonë se beteja me flakët do të vazhdojë, pasi zjarri i gomave është shumë i vështirë për t’u shuar. Mediet lokale raportojnë se, vendgrumbullimi i gomave të përdorura në Sesena është më i madhi në Europë dhe mbulon një sipërfaqe tepër të madhe.

Aktualisht, zjarri ka përfshirë një të pestën e vendgrumbullimit, por ka rrezik që të përhapet më tej. Burime nga policia lokale thonë se kanë dyshime për zjarrvënie me dashje, edhe për vet faktin se ditët e fundit në zonë ka pasur reshje dhe lagështirë të lartë.

Top Channel