“Drenica” nis në Apel

11/05/2016 00:00

Gjykata e Apelit në Kosovë ka nisur të mërkurën gjykimin e rastit të grupit “Drenica” pas ankesave të avokatëve mbrojtës të ish-komandantëve të UÇK-së Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku, të cilët në Shkallën e Parë janë dënuar njëri me 6 e tjetri me 12 vjet burg për krime lufte.

Në seancën e parë në Gjykatën e Apelit prokurorët e rastit kanë kërkuar dënime edhe më të rënda për ish-pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa avokatët mbrojtës t të akuzuarve kanë kërkuar nga Gjykata që ta shqyrtojë me kujdes rastin, pasi sipas tyre në Shkallën e Parë janë bërë shkelje dhe dëshmitë kundërthënëse të dëshmitarëve bien ndesh me vendimin që ka marrë Gjykata.

Gjëja e parë që e ka bërë të qartë kryetari i trupit gjykues, në rastin e grupit të Drenicës, ka qenë se gjyqtarët nuk ndihen të pasigurt për të gjykuar njerëzit më të fuqishëm në Kosovë, mes të cilëve ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe ish-komandanti i Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku.

“Trupi gjykues nuk ndihet i kërcënuar në këtë rast”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Roman Rab.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet të enjten në orën 10:00.

Top Channel