Tirana apelon dënimin

11/05/2016 00:00

Skuadra 24 herë kampione e futbollit shqiptar do të bëjë të pamundurën që të reduktojë ndëshkimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës, në derbin e kryeqytetit në Kategorinë Superiore.

KF Tirana ka apeluar vendimin e dhënë nga qeveria e futbollit shqiptar përmes Disiplinës më 6 maj, një masë që dënon klubin “bardheblu” të luajë pa tifozë në 8 takime.

Sipas “bardhebluve”, është depozituar ankimimi pranë Federatës Shqiptare të Futbollit me argumentimin ligjor se dënimi i dhënë nuk është aspak i drejtë dhe duhet rishikuar.

KF Tirana ka shpjeguar pse nuk duhet dhënë dënimi kolektiv dhe cilat kanë qenë masat organizative të klubit për ndeshjen e luajtur më 4 maj, në stadiumin “Selman Stërmasi” ndaj Partizanit.

Tirana ka kërkuar në rrugë formale rishikimin e vendimit dhe kërkon gjithashtu edhe publikisht që tifozët “bardheblu”, aspak fajtor në mbrëmjen e 4 majit, të mos privohen nga mundësia për të ndjekur nga afër skuadrën e zemrës.

Përballja e radhës për ekipin e trajnerit Ilir Daja do të jetë ajo ndaj Vllaznisë këtë të shtunë në fushën sportive “Reshit Rusi”. Ekipi kryeqytetas që ka dështuar në çdo objektiv këtë sezon, do të mbyllë kampionatin ndaj Kukësit më 18 Maj.

Top Channel