Irak, shpërthen bomba në treg; vriten të paktën 64 gra e fëmijë

11/05/2016 00:00

Shpërthimi i një autobombe në një treg shumë të frekuentuar të Bagdadit ka marrë të paktën 64 jetë njerëzish, duke e kthyer këtë të sotmin në njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse të kohëve të fundit në kryeqytetin irakian.

Plot 87 janë të plagosurit në lagjen me shumicë shiite të Sader City-t. Përgjegjësinë e sulmit e morën përsipër militantët e Shtetit Islamik. Grupi sunit, që kontrollon zona të mëdha në Veri dhe në Perëndim të vendit, i ka vënë shpeshherë në shënjestër shiitët, që i konsideron heretike.

Pjesa dërrmuese e viktimave në treg, sipas burimeve të policisë irakiane dhe atyre spitalore, ishin gra e fëmijë. Disa prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën. Vet ISIS-i, në deklaratën e lëshuar “online”, pretendon se shënjestra e tij kanë qenë milicët shiitë.

Sulmi u krye me një kamion fruta-perimesh të mbushur me eksplozivë. Dëshmitarët okularë tregojnë se, drejtuesi e ka parkuar mjetin, e pas kësaj është zhdukur mes turmës së njerëzve me shpejtësi.

Top Channel