“Muzika e ngjyrave” sepse me 7 ngjyrat e ylberit dhe përzierjet e tyre mund të pikturosh gjithfarë kuadrosh, ashtu sikurse përmes 7 notave muzikore kompozohen melodi të pafundme.

Kështu e shpjegon ekspozitën e tij piktori Mikel Temo në të cilën prezanton 25 kuadro, që frymëzimin bazë e kanë në natyrën e Kanadasë, aty ku Temo ka kaluar rreth 15 vite .

“Mua më ka pëlqyer ta përdor këtë si slogan të ekspozitës sime sepse edhe vetë e ndjej që ka një relacion mes muzikës dhe pikturës. Kjo për më tepër për faktin që muzika është abstrakte, ashtu edhe përfaqësimi që kam bërë në këtë ekspozitë është abstrakt, për të dhënë një ilustrim më të drejtë midis muzikës dhe pikturës, notave dhe ngjyrave”, tha Mikel Temo, piktor.

Muzikën piktori e sheh gjithkund në natyrë.

“Natyra po ta shohim ka muzikën e vetë, era fryn, ngjarje ndodhin, zhurma makinash, zhurma zogjsh që fluturojnë, të gjitha këto përbëjnë atë që do ta inkuadronin ndryshe si muzikën e natyrës”, vijoi Temo.

“Muzika e ngjyrave” në Galerinë FAB do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 17 maj.

Top Channel