“Thuajini lamtumirë OPEC-ut. Çmimet do të përcaktohen nga kërkesë-oferta”

10/05/2016 00:00

Dallimet e brendshme janë duke e “vrarë” OPEC-un dhe aftësia e tij për të ndikuar në tregjet duket se po zhduket, bën të ditur një drejtues i lartë ekzekutiv i çështjeve të naftës, Igor Sechin, në ato që konsiderohen si deklaratat e tij më të ashpra të bëra ndonjëherë në lidhje me kartelin e naftës.

Rusia, e cila është goditur rëndë nga rënia e çmimit të naftës, ka flirtuar me idenë e bashkëpunimit me OPEC-un gjatë muajve të fundit, derisa tensionet mes anëtarëve të kësaj organizate, Arabisë Saudite dhe Iranit, shkatërruan mundësinë e një marrëveshjeje globale për të “ngrirë” prodhimin e naftës.

Sechin, i cili njihet edhe si një prej aleatëve më të afërt të Presidentit Vladimir Putin, ka qenë i vetmi zyrtar rus që ka kundërshtuar në vazhdimësi marrëveshjen me OPEC-un, edhe pasi Kremlini thuajse e miratoi atë plan. E tashmë që parashikimi i tij mbi OPEC-un është bërë i ditur, Sechin ndihet i përligjur dhe kërkon të ndihmojë Rusinë, në mënyrë që të shmangë probleme të ngjashme në të ardhmen.

“Momentalisht, një sërë faktorësh objektivë e përjashtojnë mundësinë që ndonjë kartel të diktojë vullnetin e tij ndaj tregjeve. Sa i përket OPEC-ut, praktikisht ai nuk ekziston më si një organizatë e bashkuar”.

“Kompania ‘Rosneft’ ka qenë skeptike që prej fillimit, mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të përbashkët me përfshirjen e OPEC-ut në kushtet aktuale”, tha Sechin në disa komente të bëra që gjatë fundjavës, por që bëhen publike këtë të martë.

“Më lejoni t’iu kujtoj vetëm një pyetje, me të cilën ne i përgjigjeshim atyre që ishin të interesuar mbi pozicionin tonë. ‘Me kë duhet të biem dakord ne dhe si?’. Zhvillimet e fundit në një situatë të tillë e kanë treguar qartazi se ne kemi pasur të drejtë”.

Komentet e Sechin në lidhje me fundin e një epoke kur OPEC-u diktonte çmimet e naftës, duket se janë në përputhje me ato të ministrit të sapoemëruar të Energjisë në Arabinë Saudite, Khaled al-Falih. Ky i fundit, i cili mori postin drejtues ditën e shtunë duke zëvendësuar “të përhershmin” Ali al-Naimi, ka qenë tepër i zëshëm gjatë vitit të kaluar mbi pikëpamjet e tij se, tregjet e naftës duhet të ribalancohen përmes çmimeve të ulëta dhe se, sauditët i kanë burimet e nevojshme për të pritur.

Edhe “bosi” i Falih, pretendenti i kurorës mbretërore, Princi Mohammed bin Salman, i cili mbikëqyr politikat e naftës së vendit saudit, ka lënë të nënkuptohet se bota po shkon drejt një epoke të re, kur çmimet e naftës do të përcaktohen jo më nga OPEC, por nga kërkesë-oferta.

Top Channel