Greqia “e kënaqur”, Eurogrupi pranë zhbllokimit të kësteve

10/05/2016 12:10

Në Athinë janë kthyer buzëqeshjet pas përfundimit të samitit të Eurogrupit, i cili për herë të parë ka qenë shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për vlerësimin e programit të Greqisë dhe zhbllokimit të kësteve të paketës së ndihmës financiare, ndërsa gjithashtu për herë të parë është hapur zyrtarisht një bisedë për lehtësimin e borxhit kolosal të vendit.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që sot Eurogroupi përshëndeti paketën e reformës, sepse është e domosdoshme që Greqia të bëhet më konkurruese, të ndihmohet për të gjetur rrugën e saj të zhvillimit në mënyrë që të tërheqë sa më shumë investime”, deklaroi Pierre Moscovici, komisioner i BE për Ekonominë dhe Financat.

Pas aprovimit të reformave nga Parlamenti grek, shumica e ministrave të Eurogrupit janë shprehur dakord për një formë të lehtësimit të borxheve, duke i dhënë Greqisë një periudhë kohore për maturimin e obligacioneve nga 2018, në qoftë se vendi arrin deri atëherë teprica primare, lëvizje këto që do të vendosen në një samit të ardhshëm më 24 maj.

“Tani ka më shumë lojtarë që duan një zgjidhje, sesa lojtarë që nuk duan. Dhe kjo ishte padyshim ndjenja ime sot”, deklaroi Efklidhis Tsakalotos, ministër i Financave të Greqisë.

Përkundrejt kërkesës së FMN për masa shtesë përtej vitit 2018 në rast se nuk arrihen objektivat, Greqia ka propozuar dhe pranuar një mekanizëm i cili do të shkurtojë automatikisht pagat dhe pensionet.

Përsa i përket qëndrueshmërise së borxhit grek, që këtë vit pritet të jetë në 182.8% të GDP, “WSJ” publikon katër skenarë, prej të cilëve, më i keqi e çon atë në vitin 2060 në 268% të PBB; dhe më optimisti në vetëm 65%.

Top Channel