Shulku: Vendime ekstreme për ndëshkimin e dhunës. U eklipsua festa

09/05/2016 00:00

Mbyllja e sezonit në futbollin shqiptar ka kaluar çdo kufi që lidhet me sportin. Skenat e dhunës kanë mbizotëruar në fushat e blerta, duke filluar nga Kategoria Superiore, që konsiderohet si elita, e deri te kategoritë inferiore.

Edhe pse rezultatet dhe fusha gjatë lojës nuk është prekur në këto raste, skenat e festës apo dëshpërimeve të dhunshme kanë eklipsuar çdo gjë. Në një intervistë për Top Channel, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku i bën thirrje Komisionit të Disiplinës të marrë masat më ekstreme.

“Realisht është për të ardhur keq, pasi javët e fundit kanë ndodhur disa incidente, në disa fusha të Superiores, të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Nuk mund të jap opinion, sepse nuk është në tagrin tim, por janë komisionet që marrin vendimet. Ne mund t’u kërkojmë atyre të jenë shumë të ashpra në vendimet e tyre”, tha sekretari Ilir Shulku.

Thënë kjo, precedentët e mëparshëm tregojnë se vendimet më ekstreme kanë të bëjnë me zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë, apo zhvillimin e disa ndeshjeve në transfertë. Sigurisht, ky është një ndëshkim që vlen në rastin e ngjarjeve të Peshkopisë, ku tifozët kanë hyrë në fushë e kanë dhunuar lojtarët e skuadrës mike pas përfundimit të ndeshjes, por duke mos ndikuar në rezultat.

Ndërkohë, e njëjta gjë mund të parashikohet edhe për ngjarjet në Pogradec, por me dënime më të ashpra ndaj lojtarëve që u implikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në akte dhune ndaj njëri-tjetrit.

Top Channel