Zgjedhjet lokale në Britani, me interes vota për kryebashkiakun e Londrës

04/05/2016 00:00

Në Britani zhvillohen të enjten zgjedhjet lokale, të cilat pritet të ofrojnë rezultate zhgënjyese për të dy partitë kryesore. Laburistët e opozitës pritet të pësojnë humbje në shumë zona, ndërkohë që konservatorët e kryeministrit Cameron kanë gjasa të humbasin Bashkinë e Londrës, e cila është fushëbeteja kryesore e këtyre zgjedhjeve.

Për Bashkinë e Londrës, në garë është laburisti Sadik Kahn, i njohur edhe si mik i shqiptarëve, i cili është edhe favoriti sipas sondazheve, si dhe kandidati konservator Zak Goldsmith, miliarder.

Analistët parashikojnë se, nëse do të ketë pjesëmarrje të ulët, kjo favorizon kandidatin konservator. Sadik Kahn po sulmohet për lidhjet dhe qëndrimet e tij të supozuara me ekstremistët myslimanë, të cilat ai i ka hedhur poshtë me përbuzje si pjesë e një fushate denigruese, ndërkohë që kandidati laburist vlerësohet për politikat e strehimit dhe lidhjet me komunitetet e ndryshme në Londër.

Rivali i tij, Zak Goldsmith, i biri i një miliarderi, është kritikuar për faktin se “jeton në një botë tjetër”, ndryshe nga ajo e miliona londinezëve të thjeshtë dhe i është përmendur shumë fakti që nuk njihte disa nga stacionet kryesore të metrosë së Londrës, pasi dukshëm nuk e përdor këtë mjet trasporti sa duhet.

Sadik Kahn, i biri i një emigranti, njihet edhe si mik i shqiptarëve, teska ka marrë pjesë rregullisht në aktivitetet e shoqatave të ndryshme të komunitetit shqiptar në Londër. Kahn, i cili e ka vizituar privatisht Shqipërinë pak kohë më parë, citohet të ketë thënë se, në rast se zgjidhet kryebashkiak i Londrës, një ndër vizitat e para të tij jashtë shtetit do të jetë në Tiranë, për shtimin e bashkëpunimit mes dy kryeqyteteve.

Top Channel