Edhe Turqia pa viza në “Schengen”, pasi kërcënoi me refugjatët

04/05/2016 00:00

Komisioni Europian i dha mbështetjen e tij marrëveshjes së lëvizjes së lirë me Turqinë, pasi Ankaraja kërcënoi të tërhiqej nga pakti i emigracionit. Në propozimin e paraqitur me këtë rast, krahu ekzekutiv i bllokut parashikon heqjen e vizave për turqit deri në fund të muajit qershor.

Lajmin e konfirmoi përmes një postimi në “Twitter”, Komisionerja europiane e Konkurrencës, Margrethe Vestager. “Komisioni Europian propozoi sot heqjen e kufizimit të vizave për qytetarët e Turqisë”, shkroi ajo në rrjetin social.

Që të hyjë në fuqi, marrëveshja duhet të marrë dritën jeshile të qeverive të BE-së dhe të Parlamentit Europian. Në momentin që aprovimi sigurohet, shtetasit turq do të kenë mundësinë e lëvizjes në 26 vendet e zonës së “Schengen”-it, me përjashtim të Britanisë dhe Irlandës, që kanë rregullat e veta për vizat.

Pakti u jep mundësinë turqve të hyjnë në shtetet e “Schengen”-it për 90 ditë për qëllime turistike, ose për 180 ditë nëse bëhet fjalë për çështje biznesi. Nuk është ende e qartë, nëse do të kenë mundësinë e aplikimit për punë pa vizë në një vend të BE-së.

Turqia miratoi të hënën një projektligj, që u lejon greko-qipriotëve lëvizjen e lirë drejt saj, por u kujdes për çdo rast të sqaronte se, kjo nuk nënkupton njohjen e Qipros si shtet sovran. Deri në fund të prillit, Turqia nuk kishte përmbushur veçse gjysmën e kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave.

Top Channel