Bajerni ‘ngec’ në shtëpi, Dortmundi shpreson mrekullinë

30/04/2016 00:00

Sfida me Borusia Monchengladbach këtë të shtunë, konfirmoi edhe njëherë tjetër momentin jo të mirë të Bajernit të Pep Guardiolës.

Ndeshja përfundoi në barazim 1-1 në “Allianz Arena”, por më shumë se dy pikët e humbura në shtëpinë e tyre, ajo që duhet të shqetësojë tifozët bavarezë duket se është forma e skuadrës që e ka të vështirë në këtë periudhë të sezonit që të gjejë golin.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera, Dortmundi dogji edhe matematikisht shpresat e Volfsburgut për të luajtur në kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Verdhezinjtë fituan me rezultatin e thellë 5-1 duke ngushtuar gjithashtu në 5 pikë avantazhin e Bajernit dhe duke shpresuar në mrekullinë, dy javë nga përfundimi i kampionatit.

Schalke fitoi 3-1 në transfertë me Hanoverin duke mbajtur gjallë shpresat për zonën e Ligës së Kampionëve, ku vendi i katërt mbahet nga Monchengladbach me 49 pikë.

Sa i përket betejës për mbijetesë, Hoffenheim mori tri pikë jetike në përballjen me Ingolstad, duke u shkëputur nga zona e ftohtë dhe duke lënë në këto ujra Shtutgartin, Eintrahtin e Frankfurtit dhe Verder Bremenin.

Top Channel