“Fontana di Trevi” ngjyroset me të kuqe për martirët e krishterë

28/04/2016 00:00

“Fontana di Trevi”, monumenti historik në qendër të Romës do të ngjyroset me të kuqe mbrëmjen e së premtes për të kujtuar gjakun e martirëve të krishterë.

Kjo është një nismë e Fondacionit papnor e titulluar “Ndihmë për Kishën që vuan”, ku do të marrin pjesë kisha të ndryshme në botë, në çastin e ndezjes së dritës së kuqe do të bashkohen në lutje me të pranishmit. Në veçanti, do të marrin pjesë të krishterët e Pakistanit, ata të Nigerisë e ata të Bagdadit, në Irak, ku do të jetë i pranishëm Patriarku kaldeas, imzot Sako.

Sipas raportit të fundit të Fondacionit, të krishterët e persekutuar në botë arrijnë shifrën e frikshme prej 200 milionë. Vetëm një ditë më parë, Papa Françesku firmosi dekretin e martirizimit të 38 priftërinjve katolikë shqiptarë, që u vranë nga regjimi komunist në periudhën 1945-1974.

Ndërkohë, misioni i Selisë së Shenjtë promovoi të enjten veprimtarinë e titulluar “Në mbrojtje të të krishterëve” në Pallatin e Qelqit në Nju Jork, seli e OKB-së. Në simpozium, përveç vëzhguesit të Vatikanit, imzot Bernardito Auza, morën pjesë edhe personalitete të botës së krishterë e myslimane.

Top Channel